Tare: “Të luash futboll në Itali, është bërë një gjë e rrezikshme”

Sulmuesi shqiptar i Lacios, Igli Tare, foli me tone të ashpra pas vrasjes nga policia të tifozit Gabriele Sandri që solli edhe pezullimin e ndeshjes Inter-Lacio për javën e 12-të të Serisë A, por që solli më pas edhe ndërprerjen në minutën e 7-të të ndeshjes Atalanta-Milan, pas sulmeve të tifozerisë bergmaske dhe shtyrjen e takimit Roma-Kaljari, pasi ultrasit u përleshën me policinë pranë stadiumit "Olimpiko" të Romës. Ndeshja Inter-Lacio u anulua për shkak të vrasjes së një tifozi lacial, por Tare ishte në listën e 18 lojtarëve të thirrur nga Delio Rosi. "Besoj se mund të ndihmojë shumë fakti për të mos luajtur për një periudhë kohe, duhen rregulla precize, është absurde që një djalosh të vdesë duke shkuar për të parë një ndeshje. Është e vërtetë që të bllokosh tifozët në transfertë nuk zgjidh asgjë, flitet shumë por nuk ndryshon asgjë". Këto janë fjalët e shqiptarit Igli Tare, të cituara nga agjencia italiane e lajmeve AGI NEWS. Tare bëri një ndërhyrje telefonike për një emision në Itali në manifestimin "Un calcio al razzismo" (Një shqelm racizmit).
Dita e diel në Itali ishte me të vërtetë e tmerrshme. "Një ditë e trishtuar", - shtoi Tare. "Ne e morëm lajmin pasi kishim ngrënë drekë dhe mbetëm të gjithë të shokuar. Shumë nga ne e kanë njohur personalisht Gabrielen dhe situata ishte e rëndë", - shtoi ai. Pas ngjarjeve tragjike të së dielës, tifozët shpërthyen në mënyra të ndryshme në sheshe dhe në stadiume. "E kuptoj zemërimin e njerëzve, pasi, për fat të keq, janë masa të ndryshme, megjithatë është shansi i fundit për të kuptuar se kështu nuk mund të shkohet përpara. Të luash futboll në Itali, është bërë një gjë e rrezikshme. Në cdo rast, nëse njëri ka gabuar duhet të paguajë. Nëse një person normal gabon në jetë, paguan. Kështu duhet të jetë edhe nëse një polic gabon". Tare njihet për deklarimet e tij edhe në luftën kundër racizmit.