E Diel, 1 Nëntor 2026

“Human Rights Watch”, akuza qeverisë “Koshtunica” për dhunën në Kosovë

Nuk kanë munguar kritikat e ashpra për autoritetet serbe lidhur me ngjarjet dhe sulmet e fundit të ndodhura në Kosovë edhe nga organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch”. Kjo organizatë ka kritikuar si përgjegjës ministrat e partisë të kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica për nxitjen e tensioneve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Qeveria e Serbisë duhet të veprojë shpejt që ta reduktojë klimën e rrezikshme armiqësore për grupet e të drejtave të njeriut, për gazetarët e pavarur dhe për pakicat etnike në vend”, - është thënë në deklaratën e grupit me seli në Nju Jork. “Human Rights Watch” deklaron se ndërsa presidenti Boris Tadiç ka bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës, anëtarët e koalicionit të Koshtunicës nuk i kanë vërejtur protestat e dhunshme kundër pavarësisë së Kosovës. Ministri i Infrastrukturës, Velimir Iliç, i ka përshkruar protestat si "demokratike", ndërsa ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, tha se sulmet në pikat doganore në kufirin Kosovë-Serbi pasqyrojnë "politikën e qeverisë", - thuhet në deklaratën e fundit të “Human Rights Watch”. Organizata që mbron të drejtat e njeriut është e mendimit se i takon qeverisë serbe të ketë një qëndrim të përbashkët kundër dhunës dhe veprimeve arbitrare. “Qeveria e Serbisë duhet të flasë me një zë kundër dhunës si mjet i protestës dhe të përmbahet nga retorika luftënxitëse”, - është shprehur drejtori i “Human Rights Watch” për Europën, Holli Kartner.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›