Protestat në Prishtinë dhe dyshimet e medias Perëndimore për lidhjet me Shqipërinë
Reagime të shtypit grek, austriak dhe italianë në vitin 1981. Çfarë shkruante “The New York Times” për protestat në Kosovë
Gazeta greke “To vima” e datës 21 qershor, në një koment shkruar nga Manolis Plumidhis, kushtuar makinacioneve që po përdor propaganda jugosllave rreth së ashtuquajturës “Hartë të Shqipërisë së Madhe”, që gjoja është botuar në Shqipëri, si dhe intrigave të saj rreth të ashtuquajturit Vorio Epir, thotë: “Për qëllimet e saj propagandistike, Agjencia e Lajmeve Jugosllave u preokupua, sikurse duket, edhe me problemin e Vorio Epirit dhe me persekutimet që sipas koncepteve të disa qarqeve greke, u bëheshin bashkatdhetarëve grekë të Shqipërisë. Qëllimi i Agjencisë së Lajmeve Jugosllave në këto veprime të saj nuk ishte vetëm të përforconte pozitat jugosllave për problemin e Kosovës, por dhe të influenconte haptazi në opinionin grek për t’u bërë jehonë pikëpamjeve jugosllave. Sigurisht, detyra e mjeteve zyrtare të informimit është të mbrojnë dhe të përhapin politikën e vendit të tyre, por në një mënyrë të tillë që të mos bien në gabim. Agjencia e lajmeve Jugosllave, në studimin e saj, siç duket nuk e shqyrtoi nëse harta kishte prejardhje me të vërtetë nga propaganda zyrtare shqiptare, ashtu sikurse flitej, sepse sikurse u vërtetua, harta kishte lidhje me të kaluarën e u vu në qarkullim më 1971-shin, ndoshta me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Greqisë me Shqipërinë dhe se ishte vepër e organizatave të ndryshme, kundërshtare të regjimit të sotëm shqiptar, që ndodhen në SHBA dhe në Kanada. Rasti i kësaj harte është i njëjtë me veprimet që bënë kundërshtarët e regjimit të sotëm të Jugosllavisë, që banojnë jashtë, të cilët, nëpërmjet Amerikës, Kanadasë, Gjermanisë dhe Austrisë kanë shtypur dhe dërguar në Greqi prej kohësh hartën e Maqedonisë jugosllave, në të cilën, përveç Republikës Jugosllave të Maqedonisë, përfshihet e gjithë Maqedonia greke dhe Maqedonia bullgare. Gazeta austriake “Noje Cait”, në artikullin me titull “Trazirat në Kosovë zemërojnë në Beograd njërën palë kundër tjetrës” të datës 31 maj, ndër të tjera thotë: “Turbullirat që vazhdojnë ende në Kosovë bëjnë që tani në Jugosllavi palë të ndryshme të akuzojnë njëra-tjetrën. Shtypi bën fajtor shtetin dhe anasjelltas, opinioni publik bën fajtor të dyja palët. Gazeta “Politika” u detyrua të nxjerrë një broshurë me titull “Çfarë ndodhi në të vërtetë në Kosovë?”. Korrespondentët e shtypit pyesin: para së gjithash përse nuk është shkruar asgjë dhe gazetat thonë gjëra të ngatërruara e të çoroditura? Qendrat e informacionit nuk thonë asgjë, duket që ka presion nga lart për të heshtur. Për të rregulluar gjendjen, thotë ministri i Informacionit të Serbisë, Mikoviç, “duhet luftuar me dy mënyra: me dënime drakoniane dhe me spastrime në aparatin e shtetit e të partisë”. Ai tha gjithashtu se “do të ketë analiza të thella të shkaqeve të tilla, si ritmi i lartë i lindjeve dhe superprodhimi i studentëve”. Gazeta italiane ”Corriere dela Sera” e datës 22 qershor, në një artikull të korrespondentit të saj në Vjenë, shkruan: “Shumë njerëz në Beograd kanë frikë se mos Kosova bëhet një vatër krize e përhershme. Druajtje dhe parashikime të zymta ushqehen nga konstatime, që përpjekjet e bëra deri tani nga udhëheqja e partisë për të rivendosur gjendjen normale janë ndeshur me një rezistencë autentike. Agjencia e shtypit, Tanjug, është e detyruar të pranojë se mbledhjet e bëra në Prishtinë, në Mitrovicën e Kosovës e gjetiu, kanë përfunduar pa asnjë fije kritike e autokritike, e kjo ngadalëson, e jo rrallë frenon ose bën të pamundshëm çdo aksion. Jugosllavët flasin për një proces diferencimi. Është një ndërmarrje thuajse e pamundshme të bësh diferencim midis një milion e gjysmë kosovarëve shqiptarë, që tashmë kërkojnë republikë autonome të vetën. Atyre nuk u bën përshtypje toni gjithnjë e më i ashpër i Partisë Komuniste Serbe, me të cilën, mirë ose keq, ajo e Kosovës është në marrëdhënie që refuzojnë kosovarët. Janë vërtetuar edhe episode përleshjeje midis popullsisë dhe policisë serbe e malazeze. Akte të vogla sabotimi po pengojnë rregullsinë e komunikacionit hekurudhor, me gjithë dislokimin e pabesueshëm të forcave të rënda dhe kufizimet për lëvizjet e njerëzve nga një krahinë në tjetrën. Studentët universitarë dhe gjimnazistët janë dërguar në shtëpi para kohe. Asnjë nuk është në gjendje sot të sigurojë se shkollat do të hapen rregullisht në vjeshtë, në qoftë se gjendja do të jetë siç është tani. Disa fakultete të Universitetit të Prishtinës janë duke u transferuar në lokalitetet e tjera dhe numri i të regjistruarve, në vjeshtë do të jetë kështu i zvogëluar 19 për qind, në krahasim me atë të vitit akademik që mbaroi, por të gjithë studentët do t’i nënshtrohen një provimi kualifikimi politik. Gazeta tjetër italiane në gjuhën angleze “Internejshënëll dejli njus” e datës 25 qershor shkruan: “Tanke të maskuar qëndrojnë nëpër shkurre në aeroportin e Prishtinës, ndërsa ekuipazhet hanë mëngjes në një kuzhinë fushore në asfalt. Brenda godinës së aeroportit të gjithë të huajt dhe disa jugosllavë që kanë arritur këtu, në krahinën e trazuar të Kosovës, drejtohen nga një dhomë e vogël në qoshe, ku policët kontrollojnë dokumentet e tyre, dhe regjistrojnë mbërritjen. Të huajt janë të detyruar të paraqesin dokumentet, për të treguar se kanë leje qeveritare për të hyrë në krahinë, ku Jugosllavia shumëkombëshe po përballon shqetësimin e parë rajonal qysh nga vdekja e presidentit Tito, në maj të 1980. ”Ju mund të përdorni aparatin fotografik, thotë një zyrtar i caktuar për të shoqëruar një grup korrespondentësh të huaj që janë lejuar në Prishtinë, por mos merrni në fotografi njerëz me uniformë”. Megjithatë, uniformat shikohen kudo në Prishtinë. Mbas mëse 2 muajve revoltë e dhunë, Prishtina është e mbushur me trupa të rregullta ushtarake e rezerviste, si dhe policë të armatosur rëndë nga gjithë Jugosllavia. Rezistenca vazhdon në forma të ndryshme. Thuajse tre të katërtat e 400 gazetarëve kosovarë nuk u paraqitën në një mbledhje kohët e fundit për të diskutuar shqetësimet e krahinës. Udhëtimi për në Kosovë dhe brenda saj kontrollohet ende me kujdes. Udhëtarët që arrijnë në Prishtinë nëpërmjet rrugëve kryesore thonë se ekzistojnë postblloqe policësh e kontrolle të identitetit në kufijtë e Kosovës e gjetiu. Turizmi i huaj është anuluar për këtë vit nga zyrtarët, të cilët thonë se kjo është bërë për qëllime sigurimi. Vendosja e trupave dhe policia në Kosovë mbeten kështu përgjigjja më e mprehtë dhe më e dukshme”. Gazeta amerikane “New York Times” e datës 14 qershor boton një artikull me titull: “Jugosllavia shton policinë në provincën e turbulluar shqiptare”, në të cilën thuhet: “Jugosllavia ka njoftuar plane për shtimin e forcave të sigurimit në provincën e Kosovës, rajoni jugor i tronditur nga demonstratat e shqiptarëve etnikë në muajt mars e prill. Këtë javë ministri i Brendshëm, Franjo Herlejeviç, informoi parlamentin se 1000 policë do t’u shtohen forcave të rregullta të policisë dhe se forcat rezerviste do të dyfishohen. Ai paralajmëroi se turbullira të tjera janë të mundshme. Zoti Herljeviç tha se ishte e qartë se forcat e sigurimit kishin qenë të pamjaftueshme gjatë demonstratave. Demonstratat, të cilat filluan në Universitetin Kosova, u përhapën shumë gjatë gjithë provincës, që është më e varfra në Jugosllavi... Herljeviç nuk dha shpjegime për rezistencën, por nga fjalimi i tij dukej mundësia e rritjes së presionit mbi qeverinë e Kosovës dhe udhëheqjen e partisë komuniste, të cilat janë duke u spastruar prej njerëzve të akuzuar se kanë lejuar të lulëzojë nacionalizmi shqiptar”.
Shkrimi është marrë nga gazeta “Bashkimi” më datë 5 korrik 1981
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
28 Shkurt 2008