“Serbia ka nevojë për demokratizim, dritaret e Jugosllavisë janë hapur”
Gazetari amerikan vazhdon profilin me Republikën e Serbisë. Misteret dhe dilemat e një shteti që po shkon drejt rrënimit
David Binder
(Vijon nga numri i kaluar)
Teksa hedh sytë në rrugët e Beogradit, serbët të duken të shkurajuar. Pozita e tyre si pasardhës të një perandorie mesjetare praktikisht është shuar, si dhe roli i tyre si krijues të Mbretërisë së Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore është davaritur. Po ashtu, është zhdukur fuqia e tyre si mburoja më popullore e Jugosllavisë komuniste. Ata zemërohen tani me disa justifikime, pasi udhëheqësit politikë të Serbisë janë më mediokrit krahasuar me çdo republikë tjetër të federarës.
Shenjat e krizës në Beograd
Disa e ndjenë të ziejë një gjë të tillë në ceremonialin e funeralit të politikanit të rëndësishëm të Serbisë, Aleksandar Rankoviç, në gushtin e kaluar, i vetmi trashëgimtar i njohur i Titos që në vitin 1966 ishte përjashtuar nga drejtimi si shef i policisë sekrete dhe u akuzua se po përpiqej të përvetësonte pushtetin. Rreth 100 mijë serbë dolën në Varrezat e Reja të Beogradit dhe atje thërrisnin njëzëri emrin e tij në formë të shkurtuar: “Leka, hero! Leka, hero!”. Kur një politikan serb, relativisht i panjohur, nisi të mbajë fjalimin e lamtumirës në varreza, zëra të shumtë nga turma thërrisnin: “Kush ju ka çuar ju atje! Uluni! Mbylle gojën!”
Në mes të tyre në funeral ishte edhe Stefania Djilas, gruaja e Milovan Djilas, disidentit më të njohur në të gjithë vendin. “Unë shkova sepse Slavkën (duke iu referuar bashkëshortes së zotit Rankoviç) e kisha takuar në vitin 1945, kur të dyja punonim në Komitetin Qendror dhe që aty u bëmë mikesha”. Në një mënyrë, ajo e kishte njohur dhe ishte lidhur seriozisht në periudhën kur Aleksandar Rankoviç kishte qenë në anën tjetër të grupit të Milovan Djilas, që nisi aksionin në parti për krijimin e “Klasës së re” në vitin 1954. Unë kujtoj refrenin e këngës së vjetër partizane që thoshte: ''Tito, Kardelj, Rankoviç dhe Djilas,'' e cila ishte kënduar deri në vitet e vonshme me vetëm dy emrat e parë. Tani, vetëm njëri ka arritur të mbijetojë.
Disidentët, të papranueshmit e sistemit
Zoti Djilas në moshën 72-vjeçare duket energjik, pavarësisht 12 viteve në burg, duke përfshirë këtu edhe 9 vitet e kohës së sundimit të Titos. Ai kishte publikuar një tjetër libër me kujtime: ''Vlast'' (Pushteti”') gjatë viteve të tij ku përfshinte pjesën e diktaturës. Gjithashtu, ai kishte përfunduar një refleksion filozofik për të drejtat dhe gabimet që kishte bërë. Libri titullohej: “Idetë dhe burgu”.
Në sallonin e shtëpisë së Djilas varet një pikturë e stërmadhe e Faustit. Ajo më bën të mendoj se këtu është diçka faustiane te vetja ime; që nisi përtej angazhimit tim për të mbështetur komunizmin dhe pastaj bëra një marrëveshje me Mefistofelin, princin e disidencës. Zoti Djilas thotë se atij i pëlqen “politika e fortë e Reganit në drejtim të Rusisë, ndoshta jo në detaje, por në linjën kryesore”. Ai dhe jugosllavë të tjerë besojnë se kjo politikë ndihmoi në mbajtjen nën fre të çdo plani të paracaktuar rus që mund të kishte për Jugosllavinë, e cila u bë më e rëndësishme pikërisht në kohën kur tregtia mes dy vendeve përllogaritej në të dhënat e import-eksportit në raporte të barabarta: 50% me 50%.
Orvatje për të shpëtuar federatën
Njëri prej banorëve rezidentë në Beograd, që po përpiqet të ndihmojë Jugosllavinë që të mbetet e pavarur dhe ekonomikisht e shëndetshme, është David Anderson, ambasadori i Shteteve të Bashkuara. Për më tepër se një vit, ai kishte ndihmuar që të krijojë një paketë financiare shpëtuese që vendi të jetë në gjendje për të dalë nga kriza e shkaktuar prej kthimit të borxhit të jashtëm që ka Jugosllavia. Për përgatitjen e draft/propozimeve të pranueshme për Uashingtonin dhe Beogradin, ai dhe ekspertët vendas të ekonomisë ndonjëherë rrinin deri në orën 3 të mëngjesit duke punuar. “Në qoftë se do t’i ndihmojmë ata që të marrin frymë për tre vjet, unë do të jem në gjendje të them se jam një diplomat i mirë”, - mërmëriti ai.
Përpara largimit, unë piva një gllënjkë sljivovicë me një koleg, një komunist të papunë prej 10 vitesh, pasi ai e harxhonte kohën si një i “çmendur” për shkak të pikëpamjeve të tij liberale. Unë i thashë atij se jam në një mënyrë relative optimist rreth mundësive të Jugosllavisë për të kapërcyer morinë e problemeve të saj. Përgjigjja e tij ishte aq e athët sa konjaku i kumbullës: “Ne jemi të varfër për t’u shkatërruar ekonomikisht dhe të pasur gjithashtu për një katastrofë. Zgjidhja? Më tepër demokratizim.
Së fundmi, në Jugosllavi dritaret janë hapur”.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 25 dhjetor 1983
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e së premtes do të lexoni
Si e përfshiu J.B. Tito Kosovën brenda Jugosllavisë
Gazetari amerikan David Binder sjell gjendjen në Kosovën e prillit të vitit 1981
Gjendja e tensionuar në vend dhe kërkesa për shkëputjen nga federata
Si i ndëshkoi dhe më pas e ndryshoi strategjinë ndaj kosovarëve mareshalli Tito
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
28 Shkurt 2008