E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Gati t’ju japim para,Bode: S’kemi akoma nevojë



Këtë radhë FMN, ofroi edhe para në mënyrë që të rikthehet sërish me një mision të plotë në Shqipëri. Në mbyllje të raportit për vitin 2010, kreu i misionit të FMN në Shqipëri, Gerëin Bell, kërkoi hapur rikthimin e fondit. “FMN-ja është këtu për të ndihmuar. Në të kaluarën e kemi bërë këtë nëpërmjet programeve tona të huadhënies. Në këtë pikë, ne jemi duke ofruar asistencë teknike dhe këshilla politike, por Shqipëria mund të mbështetet tek ne për t’i ofruar sigurim dhe mbështetje financiare, nëse do të dojë”. Por përgjigjia e Ministrit të Financave, Bode, ishte e njëjta me atë të ripërsëritur disa herë gjatë takimeve të këtyre viteve të fundit. “FMN ka luajtur një rol të rëndësishëm në stabilitetin financiar të vendit, për një periudhë shumë të gjatë dhe kanë shprehur disponimin e tyre për të qenë prezent dhe për të ndihmuar Shqipërinë. Kjo nuk do të thotë që të rikthehesh në marrëdhëniet e mëparshme sepse stadi i zhvillimit të vendit është një tjetër. Ne jemi duke bashkëpunuar me fondin, ju e shikoni që ai ka qenë dy herë gjatë këtij viti dhe ne do të vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin tonë”, u përgjigj Bode. Me pak fjalë, edhe oferta me “para” e FMN për një rikthim në Shqipëri, nuk e joshi akoma Qeveria shqiptare. Sidoqoftë, fjalia e fundit e Ministrit të Financave, “Nuk ka tabu në marrëdhëniet tona”, lë akoma hapur dritaren e bashkëpunimit.
FMN
“Autoritetet shqiptare kanë qenë të suksesshme në përballimin e një mjedisi të jashtëm mjaft të vështirë gjatë dy viteve të fundit. Aftësia e tyre për ta bërë këtë pasqyron ecurinë e mirë të politikave të shëndosha të mëparshme që ndërtuan amortizatorë tepër të rëndësishëm. Si rezultat, Shqipëria ishte një nga ato pak ekonomi që shmangën rënien ekonomike në 2008 dhe 2009. Për më tepër, të dhënat e fundit tregojnë se ka një ecuri ekonomike më të fortë në tremujorin e parë, sesa ne e kishim vlerësuar më parë. Megjithatë, tashmë amortizatorët e krijuar nga politikat janë ezauruar dhe si bota, ashtu edhe ekonomitë rajonale, nuk janë ende jashtë rrezikut dhe ka ende sfida dhe risqe të qarta të jashtme, si për shembull: kërkesë më e ulët në partnerët kryesorë tregtarë; paqartësi në sistemin financiar botëror dhe një mjedis i vështirë për financimin e borxhit sovran. është për t’u vlerësuar që rishikimi i mesvitit i buxhetit është duke shkuar në drejtimin e duhur, duke ulur deficitin fiskal dhe borxhin publik, si dhe fakti që autoritetet vazhdojnë të ndjekin me rigorozitet stabilitetin makroekonomik dhe financiar”.
Debati për taksat
Për të ulur deficitin buxhetor ka dy variante. Një variant është ulja e shpenzimeve dhe varianti tjetër është rritja e taksave. Në shumë vende, FMN ka propozuar të dyja këto veprime, në mënyrë që deficiti dhe si rrjedhojë huamarrja të ulej. Në këtë pikë, Bode dhe përfaqësuesi i FMN, Bell, patën disa ndarje edhe në Tiranë.
“është një çështje politikash, sigurisht nga ana matematikore është e mundur që të bëhet. Mund t’ju tregoj dhe formulën. Sigurisht kjo është një çështje politikash. Mund të merret një vendim për uljen e shpenzimeve apo do të shikohet një ndërhyrje nga të ardhurat. Kjo është një pyetje për Ministrin e Financave sepse është një çështje politikash dhe duhet zgjidhur nga elektorati shqiptar për opsionin që mbron”, tha Bell, duke dashur të shpjegojë se për FMN është i rëndësishëm vetëm stabiliteti, pra ulja e deficitit. Ndërsa Bode tha se “nuk mund të them rritje taksash sepse interesi është për t’i dhënë suport ekonomisë reale dhe jo thjesht për të bërë matematikë për buxhetin, i cili do të thoshte një nivel më i lartë shpenzimesh për Qeverinë. Nga ana tjetër në anën e kërkesës, u ruajt një kërkesë pozitive aktive përsa i takon pagave dhe pensioneve, me një kërkesë konsumatore që do të ndihmonte në një rishpërndarje dhe një riklasim të kërkesës që do të orientonte kapitalet drejt sektorëve më rentabël”.
Guvernatori Fullani
Për Guvernatorin, shkurtimi i buxhetit, do të krijojë kushte për një rishikim lehtësues të politikës monetare. Më thjesht, shkurtimi i deficitit buxhetor, do të mundësojë që në një afat tjetër, Banka e Shqipërisë të ulë normën bazë të interesit për lekun. “Unë mendoj që hapi i marrë është i nevojshëm, i domosdoshëm dhe në linjë me rekomandimet tona, megjithatë zhvillimet globale dhe ato brenda vendit janë sfidante. Në qoftë se duhet të merren masa të tjera, ne jemi dakord për t’u marrë në kohë, por e theksoj dhe njëherë që masa e marrë është në linjë me rekomandimet tona. Kjo do të thotë që tashmë Banka e Shqipërisë është e gatshme të shohë mundësinë e stimujve të tjerë monetare të një politike të kujdesshme, e cila do të jetë në funksion të kreditimit dhe të nxitjes reale të ekonomisë reale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›