E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i Parlamentit

Edi Lesi

Në këtë verë të zakonshme pak ngjarje po arrijnë të qëndrojnë gjatë në sferën publike. Zhvillimet politike të krijojnë atë ndjenjën e déjà vu-së, pasi ngjajnë aq shumë me njëra-tjetrën sa po të mos kishte dekor dhe veshje të ndryshme të folësve apo lexuesve të deklaratave do të krijohej përnjëmend ideja se në këtë mot gjinkallash ka një vërshim të arkivave që televizionet i kanë ruajtur për ditë të këqija si këto, ngase nuk ka lajm. Sfondin e mërzitshëm seli blu-seli rozë po e kapërcejnë vetëm komisionet parlamentare, që po tentojnë të prodhojnë diçka më shumë. Seancat e dëgjimit dhe të pyetjeve për herë të parë po arrijnë të krijojnë një standard të ri në vend. Të zgjedhurit po ushtrojnë mandatin e tyre dhe kontrolli që po aplikohet ndaj kandidaturave për poste të rëndësishme publike, apo kalimi në sitë i aktivitetit të institucioneve, të kujton librat e politikës ku flitet për rëndësinë e Parlamentit, i cili është vetë sovrani, nga ku buron legjitimiteti i të gjithëve.
Këtu spikat veçanërisht komisioni i ligjeve, ku marrja e një detyre të re në institucione që varen nga Kuvendi është kthyer gati në një provim publik. Meqenëse seancat janë të hapura dhe mediat përcjellin çfarë ndodh, qytetarët e vendit kanë rastin të shohin nga afër përformancën, të kaluarën, cilësitë dhe shumëçka, që asnjëherë më parë nuk e kanë ditur për gjyqtarët e lartë, apo të tjerë dinjitarë, të cilët zakonisht kanë marrë detyrën dhe vulën përmes një telefonate. Pëlqimi që kanë dhënë më tej deputetet ka qenë kryesisht një qokë që duhet kryer dhe kaq.
Po ashtu, verifikimi i punës së disa organizmave të rëndësishëm ka bërë që të shfaqet parimi i llogaridhënies dhe transparencës, gjë që ka dështuar të ndodhë deri më tani, duke bërë që edhe demokracia jonë e re të vuajë nga deficiti, një fenomen që po prek edhe vende me tradita të konsoliduara dhe të hershme.
Ky kontroll ndaj pushteteve të tjera që derivojnë nga Kuvendi mund t'i ketë shqetësuar ata që janë të ndjeshëm ndaj pavarësisë së institucioneve. Mirëpo, përvoja jonë ka treguar shpesh se gjyqësori apo ente të tjera me rendësi nuk kanë shndritur në punën e tyre jo prej kontrollit të ushtruar ndaj tyre, por bash për të kundërtën, për mungesën e plotë të kontrollit. Jo rrallë ka pasur vendime gjykatash që kanë çuditur botën, porse janë lënë të kalojnë për shkak se togat e zeza kanë mëvetësi.
Gjykata e Lartë për shembull, e cila po rinovohet këto ditë, ka ushtruar me vite një lloj pushteti okult, ku publiku është përjashtuar gjithnjë nga e drejta për të ditur se çfarë ndodh. E njëjta gjë mund të thuhet për KLD apo të tjera zyra, si Komisioni i Shërbimit Civil, siç e pamë para disa kohësh, që kanë ruajtur tradicionalisht një privatësi të shenjtë në aktivitetin e tyre sikur të ishin OJF.
Kjo shfaqje e pushtetit të Parlamentit të zgjedhur nga populli bëhet edhe më interesante në kohën kur pikërisht ky institucion ka qenë edhe më i dëmtuari nga kriza politike. Kuvendit i ka munguar gjysma e tij morale, opozita, e cila ose bojkoton, ose vendos marrëdhënie të kushtëzuar. Do të ishte normale në këto rrethana që deputetët të mos e ushtronin si duhet detyrën e tyre. Do të ishte gjithaq lajm i keq për demokracinë.
Duhet bërë e qartë pa krijuar shumë iluzione se deficitin më të madh demokratik në një sistem liberal e shkakton Qeveria. Ekzekutivi ka tendencën të funksionojë në mënyre të atillë, duke fituar çdo ditë e më shumë terren mbi pushtetet e tjera. Kjo është një prirje që po shfaqet edhe në perëndim, ku qeveritë duhet të marrin vendime të shpejta dhe t'u përgjigjen kushteve dhe ambientit të krijuar, shpesh pa konsulencën dhe konsensusin e duhur. Aq më shumë kjo ndodh kur Kryeministri i vendit është politikan populist, karizmatik dhe kur dominon në mënyrë absolute formacionin e tij partiak.
Në fund të fundit, sado larg llogaridhënies që të jetë, çdo qeveri e ka të caktuar dhe të pashmangshme ditën e gjykimit të fundit, që në rastin më te keq është pas katër vitesh, kohë kur sovrani vendos për fatin e saj, ndryshe nga mandatet shumëvjeçare të pushteteve të tjera.
Në aktualitetin tonë, ndoshta do të ishte e tepërt të kërkonim që Parlamenti, ku shumicën e ka forca që udhëheq vendin, të ushtrojë kontroll dhe të bëjë Qeverinë të japë llogari për vendimet e saj, apo të këqyrë në veçanti ministra të caktuar, sjelljen e tyre etike ose pasuritë tronditëse. Kur këtë po mënon ta bëjë vetë opozita, atëherë do të ishte e ekzagjeruar ta pretendonim nga maxhoranca parlamentare, duke ditur edhe brishtësinë e numrave dhe aleancave që kanë krijuar shumicën.
Gjithsesi, performanca e treguar për institucionet e tjera, krijon premisat për rritjen e mëtejshme të rolit cilësor të Parlamentit në jetën publike, duke krijuar shpresë se të zgjedhurit e popullit do të arrijnë më në fund ta vendosin mandatin dhe legjitimitetin e marrë në zgjedhje, në krye të hierarkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›