E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër shqiptarë vdesin në dy aksidente rrugore në Itali



Katër të rinj shqiptarë gjetën vdekjen në dy aksidente të ndryshme gjatë natës duke gdhirë dita e diel, në Itali. Aksidentet ndodhën në zona të ndryshme të vendit fqinj. Në aksidentin e parë në Vicenza kanë vdekur 3 shqiptarë, 2 prej të cilëve u identifikuan nga policia, kurse në aksidentin tjetër në La Spezia, pranë Romës ka vdekur një tjetër i ri shqiptar dhe miku i tij është plagosur rëndë. Aksidenti më serioz është regjistruar pak para mesnatës në San Nazario, pranë lokalitetit Vicenza, shkruajnë mediat italiane. Në një përplasje kokë më kokë mes dy makinave kanë mbetur të vdekur në vend tre persona, shqiptarë, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë. Sipas agjencive italiane të lajmeve, të cilat i referohen policisë, mësohet se tre viktimat janë shqiptare, njëri ende i paidentifikuar. Vetëm pak momente pasi janë dërguar në spital, është bërë i mundur identifikimi i dy shqiptarëve, ndërsa për personin tjetër, policia ende nuk ka publikuar një emër, përveç faktit që është shqiptar. Dy prej viktimave quhen Eljon dhe Arbër Berisha, të cilët janë kushërinj, me origjinë nga fshati Fllakë i Durrësit dhe jetonin prej disa vitesh si emigrantë në Itali. Të tre shqiptarët udhëtonin me të njëjtën makinë me një “Opel Vectra”, në momentin që u përplasën me një fuoristradë tip “Benz”, në të cilën udhëtonin 4 persona. Përplasja sipas Policisë italiane ka qenë mjaft e fortë, aq sa “Opeli” i shqiptarëve, ku ndodhej edhe një vajzë italiane është ndarë më dysh. Ndërkohë katër pasagjerët e “Benzit” janë dërguar menjëherë në spital, dy prej të cilëve në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pa kaluar tre orë nga aksidenti në Vicenza, vetëm disa kilometra larg kryeqytetit italian, dy persona, mes të cilëve një shtetas shqiptar kanë mbetur të vdekur. Sipas agjencive të lajmeve të shtetit fqinjë ngjarja e rëndë ndodhi natën e kaluar në La Spezia kur dy makina u përplasën në autostradën që lidh rrugën “Santo Stefano Magra” dhe “La Spezia”. Mësohet se një makinë ka qenë duke udhëtuar kundra vajtje në urën mbi lumin Magra dhe u përplas kokë më kokë me një makinë që po udhëtonte në drejtimin e duhur. Si pasojë gjetën vdekjen 2 persona, një shtetas domenikan dhe një 28-vjeçar shqiptar, ndërsa një tjetër shqiptar është plagosur rëndë. Policia po merret me rindërtimin e skemave të aksidenteve të djeshme në Itali, për të hetuar më pas shkaqet e ngjarjeve tragjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›