Invalidët, 2 muaj pa ndihmë sociale
KORÇE - Vonesa në dhën-ien e pagesave të invaliditetit nxjerr në protestë para bashkisë përfituesit e kësaj ndihme shtetërore në Korçë. Banorët e qytetit që e përfitojnë këtë ndihmë shteti, ankohen se janë vënë në vështirësi të mëdha nga vonesa e pagesës prej më shumë se dy muajsh. Vështirësia qëndron jo vetëm për të siguruar ushqimin në familjet e tyre, por edhe për të shlyer detyrimet e konsumit të energjisë elektrike apo të ujit të pijshëm. Benila Tërova, drejtore e marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Korçës u prononcua dje, duke mohuar zërat se fondet e caktuara dhe të dhëna për këtë pagesë pa aftësie janë shpenzuar nga bashkia për të tjera qëllime. Sipas saj, arsyeja e vetme e vonesës në shpërndarjen që bashkia i bën pagesës kësaj kategorie është se nuk janë çelur dhe akorduar fondet nga ministria përkatëse. g.a