Lokali tek Uji i Ftohtë shembet me 100 forca policie
VLORE - Prishja e një objekti pa leje në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë angazhoi dje rreth 100 efektivë policie, përfshirë këtu ata të rendit, rrugore, FNSH-në dhe të Policisë Bashkiake. Lokali me konstruksion të lehtë ishte ndërtuar në një tokë, ku pronari legjitim ka marrë certifikatën e pronësisë, ndërsa ndërtuesi i lokalit e kishte përfituar atë me ligjin 7501. Si pasojë e kundërshtimit dhe moslejimit të zbatimit të vendimit për prishje të objektit dhe njëkohësisht kundërshtimit të bluve, u shoqëruan në komisariat tre persona, pronarë të lokalit në fjalë. Policia dhe inspektorët e ndërtimit tentuan të negociojnë me personat. Megjithëse urdhri për prishje ishte çuar kohë më parë, ata s’kishin hequr asgjë nga orenditë e objektit. Pas shoqërimit të tre pjesëtarëve të familjes Halilaj, nisi edhe zbatimi i vendimit duke prishur objektin. Mësohet se pronari i lokalit, Petref Halilaj kishte ndërtuar dy objekte në këtë sipërfaqe, për të cilat kishte aplikuar edhe për legalizim. Njëri prej lokaleve i është prishur rreth 3 muaj më parë. Pronarët e truallit që kanë certifikatë pronësie kanë përfituar edhe një leje ndërtimi për pallat. Sipas Halilajt, çështja është në gjykatë për zgjidhjen e problemit. Por policia nuk ka pritur përfundimin e gjyqit duke e shkatërruar objektin. Dje policia e shembi brenda pak minutash me lokalin me anë të makinerive të ndërtimorëve. Ndërsa pronarët e lokalit pasi u shoqëruan në komisariat u lanë të lirë. Forctat e policise zbarkuan që në orët e mesditës për të shembur objekin për të cilin pronari ishte sinjalizuar disa kohë më parë. Për këtë shkak ai i ishte drejtuar gjykatës, por pronari tha se blutë ndërhynë pa u dhënë vendimi. q.b