E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e çmimit të dritave, OSSH: Ishte pakt me qeverinë

 

Nertila Maho

Rritja e çmimit të energjisë, është firmosur në paktin e privatizimit të OSSH. Një ditë para se Enti Rregullator i Energjisë të miratojë tarifat e reja të energjisë për biznesin dhe qytetarët, pronarët e rinj të OSSH, kanë zbuluar se në dokumentet e privatizimit është parashikuar edhe rritja progresive e çmimit të energjisë për vitet 2010-2014. “Ne po i bëjmë kërkesat tona, në bazë të marrëveshjes që kemi me qeverinë shqiptare. Në marrëveshjen mes CEZ dhe qeverisë shqiptare të dy palët kanë rënë dakord që duke filluar nga viti 2010 deri në vitin 2014 çmimi i energjisë të rritet 15 për qind plus inflacionin. Kjo është një garanci edhe për planin e investimeve që ne kemi rënë dakord me qeverinë tuaj”, ka theksuar gjatë konferencës së djeshme shefi i OSSH, Jozef Hejsek. E thënë ndryshe, qeveria ka qenë dakord me rritjen e çmimit dhe vetëm sa e ka shtyrë atë në vitin elektoral 2009. Realisht, kërkesa e çekëve është për një rritje çmimi prej 23 për qind të çmimit, kjo e justifikuar me një rritje më të ulët gjatë viteve në vijim. Me argumentet e dhëna dje nga pronarët e CEZ, duket gati e pamundur që ERE të marrë një vendim tjetër nga kërkesa, në të kundërt ajo do të shkelte kontratën e privatizimit.
Argumenti i çekëve
CEZ Grup tashmë pronare e OSSH-së, që nga 1 qershori i këtij viti, ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë pranë Entit Rregullator të Energjisë me një sërë argumentesh. Sipas tyre, humbjet janë një arsye shumë e fortë për këtë kërkesë, pasi këto të fundit shkojnë më shumë se 34% si rezultat i vjedhjeve, abuzimeve dhe i mungesës së matësve. Po kështu një argument tjetër i çekëve është vijueshmëria e investimeve sipas kontratës. Deri në vitin 2014 CEZ duhet të bëjë 200 milionë euro investime por kjo do të ishte shumë e vështirë nëse kompania do të vazhdonte të thellonte “gropën” e humbjeve. Në dëgjimoren me ERE-n para tre javësh CEZ ka vënë në dukje që Shqipëria është një ndër vendet, që e ka çmimin e energjisë ndër më të ulëtit në rajon.    
Kërcënimi për konsumatorët
“Deri në fund të nëntorit borxhi që na kanë familjarët është  1.7 miliardë lekë, 3.5 miliardë kanë kompanitë private, institucionet buxhetore 870 milionë lekë dhe komunat me qeverisjen lokale 2.2 miliardë lekë”, tha dje drejtori i CEZ Hejsek lidhur me borxhet.
Sipas çekëve, një projekt tjetër që po ndërmerret është ai i humbjeve joteknike dhe janë rreth 26 ekipe në terren. “I pari filloi në zonën problematike në Bathore. Një grup prej 3 personash kanë parë çdo matës dhe kanë zbuluar shumë abuzime. Nga 3000 klientë të kontrolluar. U zbuluan rreth 1000 klientë me probleme, 7% e këtyre 1000 kishin ndryshuar matësit, 50% kishin prishur vulat apo kishin ndërhyrë në rrjet dhe rreth 7% të tjerë e merrnin energjinë, duke vjedhur nga komshiu, nga kabina apo drejtpërdrejt në tel”, tha drejtori i CEZ. Sipas tij, të gjitha këto janë të dokumentuara me foto, emër, adresë dhe problem dhe është krijuar lista e klientëve të këqij që do japin llogari në gjykatë. Çekët theksuan se OSSH nuk do të tolerojë më, dhe gjithë debitorët që nuk bëjnë shlyerjen pas marrjes së paralajmërimit do t’u ndërpritet energjia qofshin këta familjarë apo kompani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›