Trafik droge me makinë të vjedhur
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Trafikanti i drogës tenton të arratiset me makinën e vjedhur një ditë më parë në Sarandë. Por, përplasja me bordurën e rrugës, në afërsi të Derviçianit në Gjirokastër solli dhe bllokimin e 150 kg marijuanë. Droga ishte siguruar sipas policisë në Lazarat, por dështoi përpjekja për ta dërguar atë drejt kufirit. Sipas policisë së Gjirokastrës, droga u bllokua gjatë një operacioni të koduar “Piloti”, finalizuar në orët e vona të mbrëmjes së të dielës. Sasia e drogës transportohej me një automjet tip “Mercedes-Benz” me targa TP 1221 B dhe është kapur nga ana e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë Rajonale. Specialistët e kësaj strukture, kishin dijeni për transportin e drogës së dalë nga fshati Lazarat me destinacion qytetin e Sarandës e më pas drejt Greqisë përmes linjës së transportit detar. Makina që kishte në brendësi drogën, është parë në pjesën e poshtme të Lazaratit, rreth orës 21:00 të së dielës, duke lëvizur me shpejtësi të madhe drejt jugut të autostradës me destinacionin e lartpërmendur. Uniformat blu sapo kanë parë mjetin që lëvizte janë vënë në ndjekje të tij. Nga shpejtësia e madhe mjeti me drogë nuk ka përshkuar më tepër se 3 km rrugë dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës, në afërsi të rrugës që të çon në fshatin Derviçian. Pas këtij incidenti automobilistik i shkaktuar edhe nga qarkullimi i dendur i mjeteve në këtë aks, drejtuesi i mjetit e ka braktisur atë dhe është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira. Për të kapur shoferin policia shtoi patrullimet në zonë dhe efektivat, të cilët kanë rrethuar zonën deri në orët e para të ditës së djeshme për të mos lejuar ndonjë largim të mundshëm të autorit të transportit narkotik. Me mbërritjen e grupit hetimor në vendngjarje u identifikua sasia dhe pesha e mallit narkotik, e fshehur në sedilje dhe në bagazh. Nga verifikimet e mëtejshme të kryera për identifikimin e pronarit të automjetit, rezultoi se mjeti është denoncuar i vjedhur nga Komisariati i Policisë së Sarandës një ditë më parë. “Mercedes-Benz”-i është grabitur mbrëmjen e të shtunës në lagjen nr. 4 në Sarandë.