Humb gruaja, kërkohet edhe në liqen
Një grua fshatare është denoncuar dje nga familjarët si e humbur, pasi kishte katër ditë që nuk ndodhej në shtëpi. Manushaqe Cenaj, 37 vjeçe, nga fshati Shikaj i Rrethit të Kukësit, nëna e tre fëmijëve, kishte dalë nga shtëpia me një kovë në dorë për të shkuar te kroi, rreth 300-400 metra larg dhe nuk është kthyer më. Familjarët tregojnë se kjo ka ndodhur të premten e javës së shkuar në mesditë dhe se që prej asaj dite e kanë kërkuar në gjithë farefisin ku mund të shkonte, por më kot, Manushaqja nuk ka dhënë një shenjë që të tregojë se ku ndodhet. Prandaj dje familjarët, i shoqi dhe vëllezërit e tij, kanë denoncuar në policinë lokale humbjen e gruas. Burime nga Komisariati i Policisë së Kukësit thanë së kanë marrë në pyetje të shoqin dhe djalin 15 vjeç të Manushaqe Cenajt, si dhe disa të afërm, por ende nuk kanë rënë në gjurmë të saj. Mësohet se gruaja vuante nga një sëmundje mendore dhe se edhe më herët kishte ndodhur që ajo të largohej nga shtëpia pa njoftuar. Policia thotë gjithashtu se kërkimet janë përqendruar në fshatrat e Pukës, ku ajo ka familjen e të atit, por edhe në liqenin e Drinit, që ndodhet shumë afër fshatit. Brenda një viti në Kukës janë shënuar tre vetëvrasje të grave, dy prej të cilave me mbytje në ujë.