Mania e skrapit nuk kursen varret
Rasteve jo të pakta të dëmtimit të varrezave publike në qytetin e Korçës u janë shtuar së fundi dhunimet e të paktën 40 varreve ku shenjat më të dukshme që kanë lënë keqbërësit kanë qenë ato të vjedhjes së pjesëve metalike të bronzit dhe hekurit. Të afërm të personave që prehen në këto varreza, pasi kanë konstatuar dhunimet dhe vjedhjet, kanë sinjalizuar edhe Policinë e Komisariatit të Korçës, ku denoncime për ngjarje të ngjashme të ndodhura në varrezat e qytetit janë të zakonshme. Tendenca për të vjedhur objekte metali që vendosen sipër veshjes prej mermeri të varreve tashmë është kthyer në një fenomen shqetësues në qytetin e Korçës. Qytetarë të ndryshëm i janë drejtuar herë pas here policisë të indinjuar. Nga ana e saj, policia u është përgjigjur këtyre ankesave, duke ushtruar kontrolle të befasishme edhe në orët e natës në varrezat publike. Persona të ndryshëm, kryesisht të komunitetit rom dhe të moshave të vogla, janë shoqëruar në Komisariatin e Korçës pasi janë kapur në flagrancë duke vjedhur varrezat publike të qytetit. Po këta persona, në pjesën më të madhe janë lënë më pas të lirë për shkak të moshës së vogël, ndërkohë që policia vëren se është i njëjti kontingjent që vazhdon të dëmtojë varrezat publike të qytetit.