Hyjnë në shtëpinë e biznesmenit, marrin 1 milion lekë
Fier - Një milion lekë mendohet se janë vjedhur nga persona ende të paidentifikuar në banesën e Benjamin Canajt, banor i lagjes “Kastriot”, të qytetit të Fierit. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë lokale. Sipas tyre, dy ditë më parë, Canaj pasi ishte kthyer në banesën e tij, në katin e dytë të një pallati 5-katësh, ka konstatuar mungesën e parave. Ai ka hyrë në dhomën e gjumit, por nuk ka gjetur në sirtar shumën e 1 milion lekëve. Menjëherë ka njoftuar policinë, e cila ka dërguar grup ekspertësh në vendngjarje dhe oficerët e policisë gjyqësore. Nga veprimet paraprake mësohet prej policisë se pronari i banesës kishte një lokal me qira në dalje të qytetit të Fierit, në lagjen “8 Shkurti”. Ai kishte qenë në punë dhe kur është kthyer nuk ka gjetur shumën e një milion lekëve në vendin e vendosur një ditë më parë. Personat që kanë bërë vjedhjen nuk kanë hyrë me dhunë, pasi nuk është gjetur ndonjë gjurmë thyerjeje dere apo dritareje. Sipas policisë, personi që ka marrë shumën e parave ka qenë në dijeni të lëvizjeve të pronarit dhe vendit ku ai i kishte lënë lekët.
3 Shkurt 2009