Humb jetën në galeritë e Batrës minatori 65-vjeçar
BULQIZE/ HASAN PASHA
Humb jetën në galerinë ku kishte punuar si i dënuar 65-vjeçari Muharrem Omuri. Një tjetër tragjedi u regjistrua në minierat e kromit në rrethin e Bulqizës, këtë herë në thellësitë e nëntokës në Batër të Martaneshit. Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur rreth orës 09:00, pak kohë pasi minatorët kanë nisur punën në galerinë private nr.5. Kolegë të minatorit, Muharrem Omuri, nga Kukësi, thanë se ai dhe një punonjës tjetër po inspektonin minierën dhe po merrnin masa për të shmangur çdo incident të mundshëm. Teksa Omuri dhe ortaku i tij kontrollonin tavanin e galerisë nga inertet e paqëndrueshme, një masiv ka rrëshqitur dhe ka zënë poshtë minatorin. Shkarja ka qenë e papritur dhe nuk u ka dhënë asnjë mundësi minatorëve të tjerë për t'i ardhur në ndihmë Omurit. Burime të tjera saktësojnë se 65- vjeçari po punonte në thellësitë e galerisë për të vendosur një armaturë mbrojtëse, mirëpo njëra nga shtyllat pingule ka devijuar dhe për pasojë galeria ka pësuar shembje, duke zënë poshtë minatorin. Fillimisht minatorët e tjerë kanë vënë në dijeni pronarët e galerisë e më pas dhe policinë. Megjithëse miniera ndodhet në një zonë të thellë të Bulqizës, grupi hetimor dhe specialistët e minierave që merren me aksidentet kanë mbërritur rreth mesditës në galerinë nr.5. Sapo është mundësuar nxjerrja e Omurit nga masivi i inerteve është nisur me një mjet të firmës drejt Bulqizës, por rrugës minatori ka ndërruar jetë. Ekspertët kanë kryer fillimisht të gjitha veprimet procedurale dhe kanë konstatuar se vdekja e Muharrem Omurit kishte ardhur për shkak të rrëshqitjes së tavanit të galerisë. 65-vjeçari kishte punuar në këtë galeri para viteve '90, kohë kur ai kryente dënimin. I ardhur në Burgun e Batrës nga Kukësi, ai pas kryerjes së dënimit ishte vendosur me banim në Kamëz. Mësohet se pronari aktual i minierës ka qenë drejtor në kohën kur Omuri vuante dënimin në Batër. Duke parë cilësitë e tij si një minator i zoti, Idriz Mëzhika e kishte ftuar Omurin të punonte sërish në galerinë nr. 5, por tani jo si i dënuar. "Ishte punëtor i madh dhe specialist shumë i mirë. Mbaroi vitet e burgut dhe u rikthye përsëri në minierën ku punoi gjatë viteve të burgut. Donte të ndihmonte familjen që ishte vendosur në periferi të Tiranës ndaj erdhi përsëri vetëm pak metra larg kampit ku qe burgosur", thanë për "Panorama" kolegë të viktimës. Policia e Dibrës po heton nëse bëhet fjalë për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë .