Kontrolli, Dobjani kritika paraburgimit
Armand Bajrami
Inspektimi më i fundit i Avokatit të Popullit në komisariatet e policisë të Ersekës, Devollit dhe Peqinit, ka nxjerrë në pah një "mal" me probleme në këto institucione. Në "shënjestër" të inspektorëve kanë qenë dhomat e shoqërimit, të cilat cilësuar si jashtë parametrave dhe standardeve të kërkuara. Ndërsa mungesa e dhomave të veçanta të shoqërimit për të miturit dhe femrat në komisariatin e Devollit dhe të Peqinit bënte që këto të fundit të mbaheshin në korridore ose në zyrat e oficerëve të policisë gjyqësore. Inspektimet janë kryer në javën e parë të muajit mars, ndërsa vetëm pak ditë më parë, Dobjani u ka dërguar rekomandimet e nevojshme instancave përkatëse.
"Vizita" e inspektorëve të Dobjanit ka filluar në ambientet e dhomave të shoqërimit. "Këto dhoma ishin jashtë parametrave dhe standardeve të kërkuara pasi ishin pa dyer, pa dritare, dhe me shumë lagështi ndërsa dera e korridorit ishte zgarë hekuri me dry dhe shul", citon raporti i AP për dhomat e shoqërimit të Devollit. Në dhomat e shoqërimit në komisariatin e Peqinit kanë rezultuar se janë pa dyer, pa ndriçim nga rrjeti, me lagështi dhe tejet të ndotura. Sipas inspektimit, edhe pse në komisariatin e Ersekës kishte dhoma shoqërimi për të mitur dhe femra, ato nuk ishin sipas konceptimit të bërë nga ligji i ri "Për Policinë e Shtetit". Në dy komisariatet e tjera të inspektuara nga AP, nuk kishte dhoma të veçanta për të mitur dhe femra. "Veprimet për të miturit kryheshin në zyrat e punonjësve të policisë, ndërsa femrat mbaheshin në korridor ose në zyrat e oficerëve të policisë gjyqësore", thuhej në rekomandimet përkatëse të këtyre komisariateve. Inspektimi ka vënë në pah edhe moskorrektesën e punonjësve të policisë gjatë përpilimit të dokumentacionit për personat e shoqëruar. Sipas AP-së, të shoqëruarve nuk iu shënohej ora e saktë e shoqërimit, por ajo e përpilimit të dokumenteve. Gjithashtu, në të tre komisariatet e inspektuara është vënë re mungesa e punonjësve të policisë që do të nevojiteshin për sigurinë e të shoqëruarve.
Në përfundim të rekomandimeve të dërguara drejtuesve të policisë të Qarqeve përkatëse të këtyre komisariateve, si edhe Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ahmet Prenci, Dobjani kërkonte marrjen e masave urgjente për përmirësimin e situatës. Dobjani rekomandonte rikonstruksionin e ambienteve të shoqërimit, si krijimin e ndarjeve për femra dhe të mitur. Gjithashtu rekomandoheshin shtesa në organiken e komisariateve, me qëllim përmbushjen efektive të shoqërimit të shtetasve.
Rastet e keqtrajtimeve për të ndaluarit
Sipas inspektimit, gjatë kryerjes së veprimeve verifikuese nga punonjësit e policisë, shtetasit padrejtësisht trajtoheshin si të shoqëruar edhe në rastet e kapjes në flagrancë. Duke i trajtuar në këtë mënyrë, atyre nuk ju ishte llogaritur në kohën e paraburgimit, dhe më pas edhe atë të vuajtjes së dënimit, koha gjatë së cilës bëhej verifikimi apo veprime të tjera proceduriale, kohë e cila mund të shkonte deri në 10 orë.