E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbën kontaktet në kanionet e Gradecit, shpëtohen dy turistë çekë

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Dy turistë çekë, 43 dhe 76 vjeç, janë shpëtuar nga strukturat e Policisë së Shtetit pasi kishin mbetur të bllokuar në Kanionet e Gradecit (Skrapar).

Policia bën të ditur se pas marrjes së njoftimit se dy turistët kishin humbur kontaktet me familjarët e tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Alpine Fier, nisën menjëherë një operacion kërkim-shpëtimi.

Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë përdorën edhe dronë, duke bërë të mundur lokalizimin e dy turistëve. Për shkak të terrenit të vështirë, ata nuk mund të vijonin më tej lëvizjen në kanione.

Në operacion u angazhuan Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Alpine Fier, Komisariati i Policisë Skrapar dhe Ekipi Canyoning Skrapar, të cilët arritën t’i nxirrnin turistët në mënyrë të sigurt nga zona e vështirë malore.

Pas shpëtimit, turistët çekë falënderuan strukturat e angazhuara për ndërhyrjen, duke vlerësuar reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.

Policia e Shtetit thekson se vijon të jetë e angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në situata emergjente, duke garantuar reagim të shpejtë dhe profesional në të gjithë territorin e vendit.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›