E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama reagon ndaj gazetarit Konomi: Tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar


TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj një deklarate të gazetarit Arjan Konomi, i cili pretendon se është shoqëruar në komisariat pas një përplasjeje me familjen e Kryeministrit në Vuno.

Krahas videos me deklaratën e Konomit, kryeministri Rama publikoi edhe një video në rrjetet sociale, ku dëgjohet gazetari Konomi teksa i drejtohet në prani të bashkëshortes Linda Rama dhe djalit Zaho, ndërsa qëndron në një lokal në fshatin Vuno.

Sipas Ramës, gazetari Konomi bullizoi bashkëshorten dhe djalin e tij në mes të rrugës, ndërsa ngjarja u rrëfye krejt ndryshe në kanalet sociale.

“Ja sesi për fat të mirë ka edhe një video tjetër, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht, duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës – ku ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi”.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›