Intensifikohen kontrollet me dron e radar, 1908 masa për shkelje rrugore në Shkodër

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar monitorimin në të gjitha akset rrugore të qarkut, përmes përdorimit të dronëve, radarëve dhe automjeteve inteligjente, me synim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore gjatë sezonit veror.
Sipas Policisë së Shtetit, kontrollet janë përqendruar veçanërisht te drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit, përfshirë drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit, drejtimin pa leje, tejkalimin e shpejtësisë, parakalimet e gabuara, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, si dhe mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Si rezultat i monitorimeve të kryera gjatë dy javëve të fundit, janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh, të cilët janë konstatuar duke drejtuar automjetet pa leje drejtimi, ndërsa janë pezulluar 52 leje drejtimi.
Gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 1908 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Nga bilanci i kontrolleve, 731 masa janë vendosur për tejkalim të normave të shpejtësisë, 458 për parkim ose qëndrim të gabuar, 361 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor dhe 106 për parakalime të gabuara.
Gjithashtu, janë vendosur 33 masa për drejtim të mjetit nën ndikimin e pijeve alkoolike, 97 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 27 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, 81 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse dhe 14 për qarkullim me xhama të riveshur.
Policia Rrugore e Shkodrës bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur edhe mjetet bashkëkohore të monitorimit.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë periudhës së fluksit të lartë të lëvizjeve.
Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
/gj.m/j.p/r.e/