Humbësit e zgjedhjeve
Pavarësisht se një rezultat zyrtar i zgjedhjeve të 28 qershorit akoma nuk është shpallur, tashmë është e qartë se ato prodhuan shumë humbës.
I pari humbës është Rama. Sado që për pak gjë - e humbi bastin e tij. Por ai, falë pozicionimit të Metës dhe Nanos në krah të Berishës, mbeti lideri i padiskutueshëm i
opozitës pas këtyre zgjedhjeve.
I dyti humbës është Berisha. Ai u fut në zgjedhje si në një referendum, nga i cili priste të merrte një "Po" për pyetjen "A e aprovoni qeverisjen e Berishës"? Dhe Po-në ia dha vetëm 47% e elektoratit. Por, sidoqoftë, Berisha mbeti përsëri në krye të qeverisë, falë përçarjes të së majtës.
I treti humbës është Meta. Ai u fut në zgjedhje duke vënë bast se partia e tij do të prodhonte një grup të madh parlamentar prej 35 deputetësh. E humbi bastin në mënyrë spektakolare - partia e tij arriti të marrë vetëm 4 mandate deputetësh. Por, sidoqoftë, ai u fut në qeveri, falë dështimit të Berishës për të arritur kuotën 50% në referendumin rreth qeverisjes së tij.
Dhe tani le të merremi me humbës më të vegjël, pavarësisht se shumica e tyre pretendojnë se nuk janë humbës.
Aleksandër Meksi, Kryeministri i parë i PD-së, u kthye pas 12 vjetësh në politikën aktive, me synimin që të sfidonte hegjemoninë e Berishës në kampin e djathtë. "Poli i Lirisë", koalicioni i udhëhequr prej Meksit, synonte të fitonte 3-4 mandate deputetësh, për t'u bërë kështu një pakicë bllokuese për Berishën, e cila do të luftonte fort për të plotësuar kërkesat e ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve, të paplotësuara deri më sot.
Dhe rezultatet tregojnë se "Poli i Lirisë" nuk ka as shpresën më të vogël për të marrë qoftë edhe një mandat. Kjo përpjekje e dështuar e Meksit për të sfiduar Berishën nga e djathta e tij, si dhe përpjekjet e tjera të mëparshme nga politikanë të tjerë, provojnë se është pothuaj e pamundur që një alternativë e djathtë ndaj Berishës të ketë ndonjëherë sukses.
Erion Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, në vend që të bëheshin pjesë e listave të PS-së (si shumë aktorë të shoqërisë civile), u futën në këto zgjedhje me një parti të re, e cila synonte të merrte votat e elektoratit rinor.
Dhe në fakt, të gjitha sondazhet parazgjedhore tregonin se G99-a, partia e udhëhequr nga Veliaj, do të ishte partia e katërt në vend. Por rezultatet treguan se shumica e përkrahësve rinorë të Veliajt, kur erdhi dita e votimit, ia hodhën votën partisë së Edi Ramës, ndoshta nga frika se mos sistemi i ndërlikuar elektoral do t'i çonte dëm votat. Mesazhi i votuesve për Veliajn dhe bashkëpunëtorët e tij: "Futuni në listat e PS-së!"
Vangjel Dule vuri bast para 28 qershorit se koalicioni i udhëhequr prej Ramës do t'i fitonte zgjedhjet. Prandaj dhe ai u largua nga koalicioni i Berishës, duke iu bashkuar atij të Ramës.
Ky bast që ai vuri, i kushtoi partisë së tij jo vetëm rreshtimin për herë të parë me humbësin, por edhe përçarjen e saj. Sepse minoritari Ksera u fut në listën e PD-së në Gjirokastër, jo në atë të PBDNJ-së. Dhe atje ai fitoi falë votave të shumta të dropullitëve. Si rezultat, partia e Dules ka tani vetëm një mandat deputeti, e jo dy që mund të kishte.
Lista e humbësve të vegjël përfshin një sërë emrash, si Gjinushi, Ceka, Xhuveli, Milo etj., të cilët kanë të përbashkët faktin se kanë mbijetuar në politikë falë simbiozës me partitë e mëdha.
Por erdhi një ditë që partitë e mëdha vendosën të mos i mbajnë më në kurriz dhe, si rezultat, këta politikanë janë tani para dilemës nëse duhet të kthehen në jetën e tyre private, apo të bëjnë atë që Genc Pollo bëri me zgjuarsi para zgjedhjeve.
Por a patën ndonjë fitues zgjedhjet e 28 qershorit? Sado të vegjël, dy fitues ato i patën. I pari ishte Tahir Muhedini, partia e të cilit arriti për herë të parë të futet në Kuvend, duke krijuar kështu mundësinë që të avancojë në mënyrë institucionale kërkesat e komunitetit çam. Ndërsa i dyti, ishte F. Mediu, i cili u rimbështoll përsëri me imunitetin parlamentar - aq të vlefshëm për ta zvarritur në pafundësi çështjen penale të Gërdecit...