SHBA-Rusi, një nisje e re
Vizita e Presidentit amerikan, Barak Obama, në Moskë e takimet e nivelit të lartë me Presidentin Medvedev e Kryeministrin Vladimir Putin, marrëveshja për reduktimin e armëve strategjike bërthamore (respektivisht numri do të shkojë në 1500 për SHBA-të e 1675 për Rusinë në traktatin zyrtar që pritet të nënshkruhet në fund të 2009-ës në zëvendësim të atij START të 1991-shit) e raketave ndërkontinentale) dhe mbi kalimin e forcave ajrore amerikane drejt Afganistanit mbi qiejt rusë, janë sinjal i një nisjeje të re në marrëdhëniet mes dy "kolosëve" ndërkombëtarë vetëm një vit pas luftës së gushtit 2008 në Gjeorgji, me të cilën rusët tentuan - pa sukses, por duke i pakësuar besueshmërinë - të largonin nga pushteti Presidentin proamerikan të Tbilisit, Mikeil Saakashvili.
Kriza gjeorgjiane, akti i parë ofensiv i ushtrisë ruse jashtë kufijve të vendit, pas sulmit sovjetik ndaj Afganistanit në 1979-ën, qe padyshim pika e dytë më e ulët në periudhën e marrëdhënieve ruso-amerikane të pasluftës së ftohtë, pas pikës së parë të ulët të arritur në mars 1999, me bombardimin e Beogradit prej NATO-s.
Nga ana cilësore qe më e rrezikshme, pasi Rusia e Putin-Medvedevit është dukshëm më e qëndrueshme si politikisht, si ekonomikisht sesa Rusia e dobët dhe e varfër e Jelcinit, në vitet '90-të.
Lufta përfundoi përmes një armëpushimi të sponsorizuar nga Presidenti francez Sarkozi, kur tanket ruse ndodheshin vetëm 30 km nga Tbilisi, por solli ngrirjen e marrëdhënieve NATO-Rusi dhe shpalljen e pavarësisë nga Gjeorgjia të Osetisë së Jugut e Abkazisë, tashmë "shtete" të varura nga Moska, e cila kërkon dukshëm të shtrijë ndikimin e vet në zonat naftëmbajtëse të Kaukazit drejt Detit Kaspik.
Pafajësisht, shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 qe, nën ujë, një sinjal për krizën gjeorgjiane.
Në shkurt 2007, Putini (atëherë president i Federatës Ruse) mbajti në Mynih një fjalim agresiv ndaj politikës së jashtme amerikane, duke e akuzuar për përdorimin e dy "standardeve" në marrëdhëniet ndërkombëtare: justifikuese për veprimet e Amerikës dhe aleatëve të saj, penguese për pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare të parreshtuar në "kryqëzatat" e Uashingtonit. Xh.W.Bush eci në rrugën e vet e më 12 qershor 2007; nga Tirana, "shpalli" faktikisht pavarësinë e Kosovës, materializuar në shkurt 2008.
Në prill 2008, gjatë Samitit të NATO-s në Bukuresht, që ftoi formalisht Shqipërinë e Kroacinë të hynin në aleancë, dyshja franko-gjermane (në marrëdhënie interesash ekonomike me Rusinë dhe e varur, si gati gjithë Evropa kontinentale, prej gazit të saj), pengoi Bushin ta konsideronte kandidaturën e Ukrainës e Gjeorgjisë për të hyrë në aleancë.
Ishte sinjali i pritur nga Putini, që në gusht sulmoi Gjeorgjinë, pas një sulmi të nxituar të Saakashvilit ndaj osetëve të jugut. Me gjymtimin territorial të Gjeorgjisë ("de facto" Abkazia dhe Osetia e Jugut nuk janë më nën sovranitetin e Tbilisit), Rusia dëmtoi vendin më properëndimor të Kaukazit dhe i dha një sinjal të tërthortë Ukrainës për të mos guxuar të vazhdonte afrimin me Perëndimin.
Vizita e Obamës në Moskë nuk zgjidh, por zbut mosmarrëveshjet me rusët në lidhje me zgjerimin e NATO-s dhe ndërtimin prej amerikanëve të një sistemi antiraketë në Republikën Çeke e Poloni, për të mbrojtur Evropën nga sulme të shteteve "terroriste" si Irani.
Çdo afrim politik (përmes zgjerimeve) ose ushtarak (si në rastin e sistemit antiraketë të propozuar) i NATO-s në kufijtë rusë, perceptohet me panik në Moskë dhe vazhdon të zgjasë atje mosbesimin ndaj Perëndimit.
Përmes retorikës, në fjalimin e tij në Shkollën e Re të Ekonomisë në Moskë, Obama qe sigurues, duke shqiptuar: "Për çdo vend që kërkon të bëhet anëtar i NATO-s, duhet të jetë shumica e popullit të tij ajo që do të zgjedhë këtë rrugë; këto vende duhet të ndërmarrin reforma dhe duhet të jenë të afta të kontribuuojnë në misionin e Aleancës. Dhe më lejoni të jem i qartë: NATO-ja kërkon bashkëpunim me Rusinë, jo konfrontim.
Bashkë, ne mund të ndërtojmë një botë ku njerëzit janë të mbrojtur, zhvillimi është i përhapur dhe pushteti ynë i shërben vërtet progresit. "Fjalë vërtet të zgjedhura për të mbjellë besim, por që nuk e lëvizin skepticizmin "nacionalist" të elitës ruse.
Por, sidoqoftë, ashtu siç amerikanët nevojitin ndihmën politiko-diplomatike ruse në zbutjen e synimeve bërthamore të Iranit (moderim i cili do të hiqte deri diku legjitimitetin e sistemit antiraketë në Evropën Lindore),
Rusia ka nevojë për ndërlidhjen financiare me Perëndimin, pasi, megjithëse një "kolos" gjeopolitik, arrin të prodhoje vetëm 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto botëror dhe ka ende nevojë të tërheqë kapitale nga vendet e zhvilluara.
Mes mosbesimesh reciproke, diplomatikisht të përmbajtura, e nevojës së bashkëpunimit në një tërësi skenarësh të nxehtë, Amerika dhe Rusia i japin jetë një kapitulli të ri të marrëdhënieve të tyre komplekse.
Università degli Studi di Roma "La