Grabitja e turistëve, identifikohet ideatori
KUKËS/ Adoleshenti i vënë në pranga si bashkëpunëtor ka dhënë detaje lidhur me personin që ishte bashkë me të
Bëhet e ditur se 25-vjeçari i cili tashmë është në kërkim ka rekrutuar adoleshentë me precedentë penalë
KUKËS - Një person me moshë madhore ka rezultuar të jetë i përfshirë në grabitjen me pasojë plagosjen e shtetases kosovare Makfire Berisha, mëngjesin e 7 korrikut tek Ura e Rexhepajve në afërsi të qytetit të Kukësit.
Emri i personit të dytë ka dalë pas marrjes në pyetje të adoleshentit K.S., i cili pasi ka pranuar krimin, ka dhënë edhe emrin e bashkëpunëtorit. Sipas policisë, bashkëpunëtori është një 25-vjeçar nga Kukësi, emri i të cilit nuk bëhet publik për arsye hetimi, ndërsa është shpallur në kërkim. Ndërkaq adoleshenti 15-vjeçar ka pohuar para oficerëve të policisë gjyqësore se në vendin e ngjarjes ka qenë edhe një person i tretë, të cilin ai nuk e njihte.
Menjëherë pas identifikimit të personit të dytë, policia është vënë në kërkim të tij. Fillimisht është ushtruar kontroll në banesën e 25-vjeçarit të dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje.
Aty është gjetur një automatik model 56 dhe një krehër me 28 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, ndërsa personi i kërkuar nuk gjendej në shtëpi dhe është shpallur në kërkim policor.
Gjithashtu, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë fiksuar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja model 56 të kalimbrit 7.62 mm, një qese plastmasi me ngjyrë të bardhë, të cilat janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore në Tiranë për ekzaminime të tjera, si dhe është bllokuar automjeti i shtetasit Safet Berisha nga Prishtina, i cili ka dy vrima të shkaktuara nga armë zjarri.
Pas identifikimit të personit të dytë që realizoi tentativën për grabitje me pasojë plagosjen e shtetases Makfire Berisha nga Prishtina, policia dyshon se 25-vjeçari është organizatori i kësaj ngjarjeje, duke rekrutuar adoleshentë që janë kontigjentë të krimit.
Mëngjesin e 7 korrikut, rreth orës 03:15 minuta persona të armatosur, të identifikuar nga ana e policisë, ku njëri prej tyre gjendet i ndaluar, i kanë zënë pritë, në vendin e quajtur Ura e Rexhepajve (Uzinës) automjetit tip "Volksvagen" me targë 888KS320, në të cilin udhëtonin disa pjesëtarë të familjes Berisha nga Prishtina.
Grabitësit e armatosur kishin si qëllim grabitjen e automjetit dhe parave që kishin me vete shtetasit nga Kosova, dhe kanë bërë shantazh edhe me marrjen peng të djalit 8-vjeçar të kësaj familjeje në këmbim të dhënies së automjetit dhe të të gjitha sendeve që gjendeshin në të.
Por grabitësit kanë hasur në rezistencën e shtetasve kosovarë, që janë përleshur me ta. Si rrjedhojë, kanë hapur zjarr nga mbrapa autoveturës duke plagosur me një plumb shtetasen Makfire Berisha, e cila gjendet e shtruar në spitalin e Kukësit, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë që policia ka arrestuar njërin prej grabitësve, pikërisht 15-vjeçarin K.S., është vënë në kërkim të personit tjetër dhe po punon për identifikimin e personit të tretë.