Humbet në kazino, grabit me armë 2 mln lekë
Një grabitje më armë ndodhi paraditen e djeshme në kryeqytet, ku një person, nën kërcënimin e pistoletës ka arritur të grabisë një pikë lojërash fati dhe të largohet prej andej me 2 milionë lekë të vjetra. Ngjarja në fjalë është regjistruar paraditen e djeshme në afërsi të “Pallatit me shigjeta”, ku një person ka hyrë brenda lokalit të lojërave të fatit, ka luajtur dhe ka humbur 100 mijë lekë të vjetra. I nervozuar nga ky fakt, ai ka nxjerrë pistoletën dhe i ka kërkuar punonjësit që t’i jepte lekët që kishte. Pasi e ka kërcënuar, ky i fundit i ka dhënë një sasi lekësh dhe më pas është mbyllur në banjo nga ana e autorit. Pasi ka marrë sasinë e parave, ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Menjëherë, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur dokumentimin e ngjarjes dhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë, të cilat kanë bërë të mundur identifikimin e autorit. Nga ana e saj Policia e Tiranës është vënë në ndjekje të autorit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore.