E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohet familja, vdes shoferi 22-vjeçar

Makina që drejtohej nga i riu është përplasur me bordurën metalike. Të plagosur kanë mbetur dhe babai e motra e viktimës

Tepelenë Një i ri nga rrethi i Gjirokastrës ka humbur jetën në një aksident automobilistik, ndërsa automjeti që ai drejtonte ka dalë nga rruga. Gjatë kësaj ngjarje kanë ngelur të plagosur edhe dy familjarë të tij, përkatësisht babai dhe motra, që udhëtonin si pasagjerë në automjet. Aksidenti është regjistruar rreth orës 06:25 të së dielës, në rrugën kombëtare Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur fusha e Luzatit. Dëshmitarët okularë i kanë pohuar policisë lokale, se automjeti tip Benz, me targa GJ 29 01 A, që drejtohej nga 22-vjeçari Elidjan Gjika, nga fshati Kolonjë, Gjirokastër, ndërsa po udhëtonte në drejtim të Gjirokastrës, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën metalike anësore mbrojtëse të rrugës. “Si shkak i përplasjes së fortë të mjetit, makina është çarë mespërmes”, thonë burimet policore. Në momentin e aksidentit, në automjet ndodheshin edhe dy pasagjerë, pjesëtarë të familjes Gjika. Gjatë aksidentit, të tre personat që ndodheshin në automjet janë plagosur dhe menjëherë janë transportuar në drejtim të spitalit të Gjirokastrës. Sipas bluzave të bardha, drejtuesi i automjetit ka qenë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk ka mundur të mbijetojë, ndërkohë që dy personat e tjerë të lënduar në aksident kanë marrë plagë të lehta dhe vazhdojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve. Sipas hetimeve paraprake të grupit hetimor, shkak i daljes nga rruga të mjetit dhe i përplasjes së tij ka qenë humbja e plotë e kontrollit nga ana e shoferit. Organet e hetimit vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti automobilistik me pasojë vdekje.

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›