Humbet në lumin e Shushicës 13-vjeçarja, arrin të shpëtojë i vëllai
Tentojnë të kalojnë lumin e Shushicës, dy të mitur motër dhe vëlla rrëmbehen nga rrjedha e lumit. Vajza ka humbur, ndërsa i vëllai 15-vjeçar ka mundur të shpëtojë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme, kur dy fëmijët e familjes Memushi nga fshati Gjorm, njëri 15 dhe tjetri 13 vjeç, ishin duke u kthyer nga arat që kjo familje ka në lindje të fshatit. Reshjet e dendura të shiut ka bërë që lumi i Shushicës, i cili buron nga fshati Kuç, të ketë prurje të shumta. Për pasojë lumi ka dal nga shtrati duke arritur në tokat e fshatit Gjorm. Të dy fëmijët, të hipur në një kalë, kanë tentuar të hidhen në bregun tjetër të lumit, mbi vendin e kalimit që përdornin gjithmonë e që ndodhet në afërsi të fushës së shkollës së fshatit. Por kali, së bashku me fëmijët është penguar dhe tërhequr nga rryma e fuqishme e ujit. Brenda pak sekondash kali bashkë me dy të miturit janë përpirë nga rrjedha e lumit, por ndërsa djali 15-vjeçar ka mundur të shpëtojë, ujërat e rrëmbyeshme kanë tërhequr vajzën 13-vjeçare, Eneriada Memushi. Deri mbrëmjen e djeshme trupi i saj nuk është gjendur. Djali 15-vjeçar ka mundur të dali me not, duke u kapur në shkurre dhe në rrepet që ndodhen anës lumit. Kreyeplaku i fshatit Gjorm, Cuman Çuni, i kontaktuar në telefon nga "Shqip" është shprehur se për gjetjen e vajzës 13-vjeçare janë vënë në kërkim në të dy anët e lumit rreth 200 burra nga fshati Gjorm, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk është bërë e mundur gjetja e saj. Në ndihmë të banorëve të fshatit kanë shkuar dhe forca policore ku midis tyre dhe palombarë, por errësira dhe lumi i rrëmbyer kanë bërë të pamundur kërkimet. Sipas kryeplakut, vendi ku kanë kaluar të dy fëmijët është një vend kalimi, që përdoret nga i gjithë fshati Gjorm për të shkuar te tokat e tij të cilat ndodhen në anën tjetër të lumit.
Mi. Ma..