Grabisin me armë pikën e basteve, tre të rinj në pranga
Një tjetër grabitje me maska ka tronditur qytetin e Korçës mbrëmjen e së premtes. Tre persona të armatosur dhe me maska kanë shkuar në një pikë bastesh sportive në qendër të qytetit, nga ku kanë mundur të marrin një shumë prej 120 mijë lekësh. Salla operative e policisë është njoftuar menjëherë pas largimit të maskave nga pika e basteve, ndërkohë që uniformat blu dhe strukturat e policisë të krimeve të rënda janë vënë në lëvizje për kapjen e autorëve. Në pikën e basteve sportive kanë qenë dëshmitarë të tjerë, por fatmirësisht nuk janë përdorur armët për të qëlluar mbi ta, por pasi kanë kryer presione për vrasje autorët kanë marrë lekët që ndodheshin në arkë dhe janë larguar me shpejtësi. Policia ka bërë të ditur se autorët janë identifikuar vetëm dy orë pas ngjarjes dhe më tej janë kapur nga ana e policisë që ka bërë edhe arrestimin e tyre. Burimet zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se: Ledion Metollari, 27 vjeç nga Korça dhe dy shokët e tij Gjergji Grazhdani dhe Fatjon Karafili, përkatësisht 24 dhe 25 vjeç, të dy nga Korça kanë qenë autorë të grabitjes me armë të regjistruar në lagjen nr.7 të qytetit. Policia e Korçës ka bërë të ditur se tre të rinjtë pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes, kanë djegur veshjet që kanë përdorur gjatë grabitjes, si dhe maskat dhe dorezat me qëllim që të mos gjendeshin në cilësinë e provave materiale nga ana e policisë. Por ka qenë ndalimi i befasishëm i mjetit tip BMW me targa KO 0661 B ku policia ka gjetur pistoletën model 57 të kalibrit 7.62 mm, 8 copë fishekë të të njëjtit kalibër dhe shumën e parave prej 120 mijë lekë, si dhe një sasi lënde narkotike kanabis sativa. Burime të Drejtorisë së Policisë së Korçës kanë deklaruar se tre autorët e kësaj ngjarjeje dyshohen edhe për vjedhje të tjera të kryera në qytetin e Korçës.
J.Dhimitri