Zbardhen akuzat e nënës së 9-vjeçarit nga Fushë-Kruja
Zbardhen akuzat e bëra nga Entela Çela në Prokurorinë e Tiranës, pas vdekjes së djalit të saj, Irild Çelës, në spitalin e pediatrisë në Tiranë. Sipas denoncimit të depozituar në organin e akuzës, infermierja Irma Sergjini, akuzohet për veprat penale të
"shpërdorimit të detyrës", "mjekim të pakujdesshëm dhe mosdhënie ndihme". Ndërsa denoncimi është kryer të premten, Entela Çela pohon se askush nga Prokuroria e Tiranës nuk e ka thërritur për të dëshmuar apo për të marrë informacione për vdekjen e të birit nëntëvjeçar, Irild Çela, më datë 15 shtator të këtij viti. "Gjatë gjithë ditës kam marrë vetëm telefonata dhe janë shtuar vizitat për ngushëllim. Ndërsa nga ana e prokurorisë nuk është kujtuar askush të më kontaktojë", shprehet Entela Çela, e cila prej tre muajsh ka humbur djalin e vetëm të saj. Ndërkaq, mësohet se ndonëse në zyrat e kancelarisë së Prokurorisë së Tiranës tashmë është depozituar kallëzimi akoma nuk janë bllokuar nga prokuroria kartela e nëntëvjeçarit të mjekuar në repartin e pediatrisë në spitalin e Tiranës, si dhe në spitalet e Krujës dhe Fushë-Krujës, ku i mituri ka marrë mjekim.
Irild Çela gjeti vdekjen në spitalin e pediatrisë në Tiranë në datën 15 shtator të këtij viti, pasi sipas të ëmës, Entela Çela, infermierja e turnit nuk i ka dhënë mjekimin e duhur të përshkruar nga mjekja specialiste, e cila e kishte edhe të shënuar në kartelë. Sipas nënës së fëmijës infermierja, në vend të ventolinës që ishte rekomanduar, i kishte është dhënë adrenalinë, nga e cila Irildi ka pasur reaksion. Ai ka pasur fryrje në fytyrë, zmadhim të damarëve të qafës, nxjerrje të ushqimit, mavijosje të mukozave të buzëve dhe nxirje të krahëve, që sollën për pasojë edhe vdekjen e nëntëvjeçarit nga Fushë-Kruja.
A. Bushi