Babai i vdekur "mban peng"
Rishfaqen skandalet me regjistrat e gjendjeve civile. Zaim Hysen Loci, dikur banor i Fushë-Krujës, i ekzekutuar me pushkatim në bazë të një vendimi gjykate të datës 25 shkurt të vitit 1992, rezulton ende i gjallë në zyrat e gjendjes civile të qytetit.
I biri, Miklovani, ka qysh nga viti 2004 kur është njohur me këtë fakt, që nuk ka lënë derë pa trokitur për të bërë çregjistrimin e emrit, por i është mohuar kjo e drejtë. Madje, në mjaft raste, me ironi i është kthyer përgjigjja se për gjendjen civile i ati është ende gjallë. Ndonëse një pjesë e administratës së Bashkisë së Fushë-Krujës ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të Zaim Locit, nuk pranojnë ta deklarojnë të vdekur. Zyra e gjendjes civile, i ka kërkuar Miklovan Locit certifikatën e vdekjes dhe dokumentin e ekzekutimit të të atit, i cili nuk disponohet nga organi i Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës.
Miklovan Loci, i cili në momentin e dënimit dhe pushkatimit të të atit ka qenë vetëm 7 vjeç, nuk kërkon asgjë më shumë se çregjistrimin e të atit nga libri i gjendjes civile. Pasi sa herë ai kërkon certifikatë nga gjendja civile i jepet me emrin e të atit, si kryefamiljar. Në këtë mënyrë ai privohet nga e drejta e regjistrimit të çdo prone apo objekti që i është lënë nga i ati, ose është ndërtuar apo marrë në pronësi nga ana e tij gjatë kësaj periudhe.
Zaim Hysen Loci është dënuar me vdekje me pushkatim më datën 25 shkurt të vitit 1992 nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, për vrasjen e bashkëshortes. Por për zyrën e gjendjes civile të Fushë-Krujës që prej 17 vjetësh ai është i gjallë.
"Nëse babi im është çuar nga varri e punon në Bashkinë e Fushë- Krujës dhe unë nuk di gjë, ky është tjetër problem. Por unë nuk kam lënë institucion pa vajtur e askush nuk më përgjigjet. Nuk kërkoj asgjë më shumë se çregjistrimin e babit tim nga libri i gjendjes civile, pasi sa herë kërkoj certifikatë nga gjendja civile më jepet me emrin e babait, si kryefamiljar", shprehet i revoltuar Miklovani.
Ai tregon se ka shkuar disa herë në zyrat e gjendjes civile, por nuk pranojnë ta çregjistrojnë duke i thënë se duhet një letër e Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës mbi urdhrin e ekzekutimit të vendimit. "Kam deklaratën e kryeplakut ku banojmë, pasi ai ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit. Ju kam thënë të vinë e të verifikojnë edhe në varreza, madje ju kam thënë se jam gati të hap edhe varrin e të bëjmë analizat e ADN-së. Por nuk i marrin për bazë, kërkojnë vendimin e prokurorisë dhe gjykatës për ekzekutimin e vendimit. Megjithatë, i kam kërkuar Prokurorisë së Tiranës këtë urdhër dhe më kanë kthyer përgjigje se një dokument i tillë nuk ekziston. Po kështu, Bashkia Fushë-Krujë i ka dërguar të paktën sipas tyre edhe një shkresë kësaj prokurorie për marrjen e këtij urdhri dhe akoma deri më sot nuk kam marrë asnjë përgjigje", rrëfen ai.
Ndërkaq, punonjësit e gjendjes civile shprehen se: "Duam urdhrin e ekzekutimit nga ana e prokurorisë, pasi për ne ligjërisht ai ekziston i gjallë. Ne e dimë që edhe kryetari i Bashkisë së Fushë-Krujës i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës për të marrë urdhrin e ekzekutimit, për të kryer çregjistrimet, por deri tani nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Për sa kohë ne nuk e kemi këtë dokument, ne nuk mund të veprojmë".