E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha prezanton programin qeverisësNga TemaKryeministri, Sali Berisha, prezantoi dje programin e tij qeverisës, duke kërkuar fillimisht që opozita të vijë në parlament. Ai tha se zgjedhjet ishin më të mirat që janë bërë dhe janë vlerësuar nga ndërk

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha prezanton programin qeverisësNga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, prezantoi dje programin e tij qeverisës, duke kërkuar fillimisht që opozita të vijë në parlament. Ai tha se zgjedhjet ishin më të mirat që janë bërë dhe janë vlerësuar nga ndërkombëtarët.

“Ftoj opozitën shqiptare të zërë vendet në parlament dhe e garantoj atë se do të ketë rol të rëndësishëm në reformat për integrimin e vendit, se do të ketë zë kryesor në reformën zgjedhore. Le të trajtojmë së bashku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, për të përsosur më tej procesin zgjedhor”, - tha Berisha.

“Zgjedhjet e 28 qershorit janë historike, sepse në këto zgjedhje sovrani, me votën e tij të lirë, përcaktoi zgjerimin e spektrit qeverisës të vendit, aleancën integruese të Shqipërisë në BE, Parti Demokratike - Lëvizja Socialiste për Integrim, aleancë kjo që do të shndërrojë në realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve”, - vijoi më tej kryeministri.

Pas Berishës kanë vijuar diskutimet zëvendësi i tij, Ilir Meta dhe ministrat e shumë nga deputetët. Në seancë ka munguar sërish opozita, ndërsa kanë qenë të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik dhe të komuniteteve fetare. I vetmi deputet në sallë nga aleanca opozitare, ishte drejtuesi i PBDNJ, Vangjel Dule.

Në fjalën e tij Meta ka premtuar se do të punojë për integrimin e vendit dhe ka theksuar se kontributi i forcës së tij politike do të shkojë në këtë drejtim. Liberalizimi i vizave është parë si prioritet. Ai tha se integrimi bashkoi PD me PS.

Reformim prokurorisë

Berisha tha dje se ai do të respektojë dhe do të punojë për ndarjen e pushteteve. “Respektimi dhe konsolidimi i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, pavarësisë së sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet, përmirësimi rrënjësor i kushteve të veprimtarisë së këtij sistemi, transparenca e vendimeve gjyqësore, ekzekutimi me vendosmëri i vendimeve të gjykatave, përcaktimi më i qartë i kompetencave midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, transparenca e sistemit të emërimeve dhe kontrollit të gjykatësve, do të jenë objektivat kryesore të punës sonë.

Riorganizimi i sistemit të akuzës, përgjegjshmëria para ligjit, dhe lufta kundër korrupsionit do jenë përparësitë tona”, - tha Berisha.

Do hiqet imuniteti, në rast se do kërkohet

Kryeministri premtoi dje se do ketë një qeveri në dietë dhe se nuk do ketë imunitet për asnjë deputet apo ministër, në rast se ia kërkon prokuroria këtë. “Statusi i Nëpunësit Civil do të konsolidohet dhe zgjerohet. Për trajnimin dhe kualifikimin e administratës publike, qeveria do të konsiderojë ngritjen e Universitetit të Administrimit Publik.

Për suksesin e luftës kundër korrupsionit ne zotohemi për qeveri të vogël, eficiente dhe në dietë”, - tha Berisha.

“Heqje e imunitetit për ministrat dhe deputetët e kësaj mazhorance, në çdo rast që do të kërkojnë organi i akuzës apo gjykatat”, - premtoi kreu i qeverisë. Ai tha se do ketë një ligj për transparencën e plotë të financimeve të partive politike.

Revolucion industrial dhe zhvillim të turizmit

Kryeministri premtoi dje se do ketë një revolucion industrial në vendin tonë, por do të zhvillohet dhe turizmi. “Revolucioni industrial i vendit do të jetë një nga tiparet kardinale të katërvjeçarit që vjen. Energjia dhe turizmi do të jenë shtylla kryesore të zhvillimit të ekonomisë.

Shqipëria, superfuqi e vogël energjitike në rajon - është objektiv tjetër madhor i yni. Prandaj dhe Qeveria e Integrimit Evropian do të bëjë çdo përpjekje, do të shfrytëzojë të gjitha burimet energjitike, nga ato eolike, ujore, te nafta, qymyret dhe burimet nukleare që ky vend, me një pozicion strategjik gjeografik, të shndërrohet, duke ruajtur standardet më të larta mjedisore, në një vend kryesor prodhimi dhe eksporti energjie në rajon”, - theksoi kryeministri.

Do të vijojë revolucioni fiskal

Berisha ka premtuar edhe një tjetër revolucion.

“Revolucioni fiskal dhe reformat e financave publike do të vazhdojnë pandërprerë. Reduktimi i mëtejshëm i barrës fiskale, si heqja e TVSH për mallrat dhe shërbimet në arsim dhe shëndetësi, reduktimi i taksave mbi dividentin, reformimi tërësisht i sistemit të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore”, - tha Berisha.

“Lufta kundër varfërisë në zonat verilindore dhe juglindore të vendit do të përbëjë përparësinë madhore për qeverinë tonë”, - vijoi më tej ai.

Berisha tha se së shpejti do të ketë sigurime shëndetësore për çdo qytetar. “Sigurimet shëndetësore do të shtrihen për të gjithë qytetarët. Qeveria angazhohet të marrë përsipër sigurimet shëndetësore për çdo qytetar shqiptar, që nuk është në gjendje t’i paguajë ato. Por në Shqipëri, të pasiguruar nuk do të ketë”, - tha Berisha.

Brenda vitit 2011 zgjidhet çështja e titujve të pronësisë

“Reforma e pronësisë do të mbetet një nga reformat themelore të vendit. Në këtë kontekst, kjo reformë do bazohet në: zgjidhjen brenda vitit 2011 të titujve të pronësisë, bazuar në Ligjin 7501; Përfundimin e procesit të legalizimit në të gjithë territorin e vendit, në përputhje me ligjin ekzistues, brenda shtatorit të vitit 2010”, - tha Berisha.

Do përgjysmohet çdo distancë kohore me kryeqytetin

Kryeministri paraqiti dje dhe prioritetet në infrastrukturë.

“Me infrastrukturën e re moderne të vendit, ne kemi si objektiv madhor: përgjysmimin e distancës kohore me Tiranën, nga çdo fshat dhe qytet i vendit; lidhjen, brenda 15-25 minuta, të qendrës së çdo komune të vendit me rrugën më të afërt kombëtare; lidhjen me rrugë të asfaltuar të çdo fshati me qendrën e komunës, dhe për një kohë rreth 15-20 minuta; ndërtimi i një aeroporti të ri në jugun e Shqipërisë; lidhjen hekurudhore me Maqedoninë dhe hartimi i projektit për lidhje hekurudhore me Kosovën”, - tha kryeministri.

Mbështetje për Kosovën

Kryeministri Berisha tha se do vijojë mbështetja për Kosovën në rrugën e saj drejt njohjes në arenën ndërkombëtare, por dhe për forcimin e institucioneve të shtetit të ri.

“Për shtetin e ri të Kosovës, qeveria e integrimit Evropian do të mbështesë fuqishëm njohjen ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin e saj në institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, integrimin sa më të shpejtë në rrjedhat integruese euro-atlantike dhe praninë e saj si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria Evropiane do të japë ndihmesën e vet në konsolidimin e institucioneve të Kosovës dhe do të vendosë marrëdhëniet më të ngushta të kooperimit dhe bashkëpunimit të gjithanshëm dhe në të gjitha fushat”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›