E Diel, 1 Nëntor 2026

Betohet qeveria, Basha “shmang” Kushtetutën, Mediun e lënë pa karrige në qeveriNga TemaQeveria e re është betuar dhe ka nisur punën menjëherë. Por, dy emrat e akuzuar nga drejtësia shqiptare për shpërdorime skandaloze, janë përfshirë dje në incidente

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Betohet qeveria, Basha “shmang” Kushtetutën, Mediun e lënë pa karrige në qeveriNga Tema

Qeveria e re është betuar dhe ka nisur punën menjëherë. Por, dy emrat e akuzuar nga drejtësia shqiptare për shpërdorime skandaloze, janë përfshirë dje në incidente të ndryshme gjatë betimit dhe mbledhjes së qeverisë.

Betimi në Presidencë

Qeveria e Integrimit Evropian është betuar paradite në Presidencë. Ministri i ri i Brendshëm, Lulzim Basha, i akuzuar për shpërdorime të mëdha në rrugën Durrës- Kukës, ka preferuar të bëjë një betim të tijin duke ngritur dorën, por duke shmangur librin e shenjtë të ligjit, Kushtetutën.

Betimi në Presidencë ka shërbyer dhe si një moment për të shkëmbyer buzëqeshje, takime gotash e shikime plot tension. I ftohtë ka qenë shtrëngimi i duarve mes presidentit dhe kreut të qeverisë.

Më pas, si në një teatër fëmijësh, tensioni është zhvendosur në shkëmbimin e shikimeve dhe buzëqeshjeve, ndonjëherë dhe ironike.

Në ceremoninë zyrtare të betimit të zhvilluar në Presidencë ishin të pranishëm, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, Avokati i Popullit, Emir Dobjani, kryetari i SHISH, Bahri Shaqiri, kryetari i ILKP, Adriatik Llalla, kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, deputetë dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, kryeministri, zv/kryeministri dhe ministrat e kabinetit qeveritar, me dorë mbi Kushtetutë, bënë betimin: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave”, - para Presidentit të Republikës, i cili u dorëzoi dekretet e emërimit duke u uruar njëkohësisht suksese në detyrën e rëndësishme.

Mediu mbetet pa karrige

Ka mbërritur në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave, por i akuzuari për tragjedinë e Gërdecit, Fatmir Mediu, nuk ka gjetur karrigen dhe vendin e përcaktuar për t’u ulur. Ai ka dalë jashtë sallës e me pas punonjësit kanë sjellë një karrige për ministrin e ri të Mjedisit. Askush nuk ka dhënë sqarime për këtë ngatërresë, por duket se shkaku qëndron te fryrja e kabinetit të ri me një ministër.

Transparencë me laptop

Kryeministri e ka nisur i qeshur mbledhjen e qeverisë, për shkak se në tavolinë, përballë çdo ministri, ndodhej një laptop me logon e Këshillit të Ministrave. Berisha tha se përdorimi i laptop-it do të ndihmojë në transparencën e qeverisë, edhe pse nuk sqaroi se si do jetë më e qartë qeveria me kompjuterë përballë. “Mbledhja e parë fillon me e-kabinet, çka do të thotë shpejtësi dixhitalike për këtë kabinet. Kjo kërkon nga ne një angazhim, i cili nuk do të mungojë, për të shndërruar në realitet programin më ambicioz të shpallur ndonjëherë para zgjedhësve shqiptarë. E-government do të thotë gjithçka në rrezen e diellit, gjithçka transparente në të gjitha zyrat, agjencitë dhe kabinetet tona. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë më të shëndetshme se një administratë në rreze të diellit. E-government do të thotë reforma të thella e të mëdha, të cilat në katër vjet do të formësojnë një Shqipëri tjetër, Shqipëria, anëtare e NATO-s; Shqipëria, vendi me infrastrukturë moderne; Shqipëria, vendi në moshën dixhitale; Shqipëria, vendi që ka konsoliduar shpirtin dhe frymën sociale; arsimin dhe shëndetësinë të standardeve më të mira; pavarësinë e institucioneve”, - tha Berisha.

Ministrat të publikojnë numrat e celularëve

Kryeministri u kërkoi dje ministrave të tij që të publikojnë numrat e celularëve në website dhe t’u kthejnë përgjigje sms-ve të qytetarëve.

“Një dimension i veçantë i kësaj qeverie duhet të jenë marrëdhëniet intensive me publikun. Ju garantoj se, sa më intensive t’i mbajmë këto marrëdhënie me qytetarët shqiptarë, aq më mirë do të jemi në gjendje të qeverisim, aq më mirë do të jemi në gjendje të njohim dhe ndjekim pulsin e tyre, problematikën, opinionet, shqetësimet, sugjerimet. Ndaj unë do t’u sugjeroja miqësisht që numrat e celularëve t’i afishoni në web-in e ministrive. Unë e kuptoj se nuk është e mundur t’u përgjigjesh telefonatave, edhe unë nuk arrij dot t’u përgjigjem telefonatave, por mesazhit po. Gradualisht, duke gjetur një interpretim të Kushtetutës, do të doja që mbledhjet e këtij kabineti të jenë transparente për publikun, i cili të adresojë, gjatë mbledhjes, pyetje dhe çështje për ato që diskutohen këtu. Ky është një nga qëllimet e E-kabinetit. Për momentin kemi një pengesë kushtetuese, e cila thotë se mbledhjet janë të mbyllura, por, nëse do të isha unë në opozitë, votën e parë që do t’i jepja qeverisë për të ndryshuar Kushtetutën, do të ishte për të imponuar zhvillimin e mbledhjes hapur. Shpresoj që opozita, kur të kthehet në parlament, ta konsiderojë seriozisht këtë. Ajo klauzolë është e panevojshme”, - tha Berisha.

Thirrje për opozitën

Kryeministri shfrytëzoi mbledhjen e parë të qeverisë për t’i bërë thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend dhe në institucione.

“Ky është një shans i madh për ne dhe duhet t’u jemi shumë mirënjohës atyre që kanë votuar pro nesh, por duhet të garantojmë edhe ata që kanë votuar për alternativa të tjera, se ne do të bëjmë çdo gjë që në programin tonë të gjejë veten e tij çdo qytetar shqiptar. Është rasti t’i bëj edhe një herë thirrje opozitës të zërë vendet në parlament. Në një sistem demokratik, forcat politike kanë dhe do të kenë dallime me njëra-tjetrën, por ka një çështje themelore që në mbarë Evropën dhe botën demokratike është një dhe vetëm një dhe kjo është shteti ligjor. Në kuadrin e shtetit ligjor, ligjeve të vendit, ne, absolutisht, jemi të gatshëm të pranojmë çdo kërkesë të opozitës për çdo problem që ajo ta gjykojë se është në interesin e saj dhe të vendit, por kërkesa që bien ndesh me ligjet, që bien ndesh me parimet themelore të ndarjes së pushteteve, nuk duhet të mendohen as nga pozita, as edhe nga opozita. Shpresoj që të gjitha thirrjet, vlerësimet që iu bënë këtyre zgjedhjeve, të cilat, në fund të fundit, janë interesi më i mirë dhe më jetik i çdo shqiptari, të lexohen dhe të rilexohen nga anëtarët e opozitës, nga zoti Rama dhe ata të kthehen dhe të vazhdojnë bashkëpunimin në parlament për reformat e mëdha, për përgatitjen e vendit, për të vazhduar më tej për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, në të cilat unë sot dhe sa të jemi në pushtet do t’i jap zë kryesor opozitës, sikundër kemi vepruar deri më sot”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›