E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbi kujtesën, hidhet nga kati i tetë ish-ushtaraku

• Vetëveritet ish-efektivi i repartit Komando që shërbeu me misionet paqeruajtëse shqiptare në Bosnje.

Dashamir Biçaku

Klodian Xibraku, 28 vjeç, banues në rrugën "Nikolla Lena" në Tiranë, mbeti i vdekur mesditën e djeshme, pasi u hodh nga ballkoni i shtëpisë së tij në katin e tetë të pallatit ku banonte. Shkak për ngjarjen, sipas burimeve të policisë dhe fqinjëve të familjes Xibraku, ka qenë gjendja jo e mirë psikologjike që po kalonte kohët e fundit 28-vjeçari. Sipas policisë, por edhe sipas deklarimeve të fqinjëve, Klodian Xibraku kishte shërbyer në një mision 6-mujor në Bosnje, rreth 6 vite më parë dhe më pas kishte qëndruar disa kohë në Itali si emigrant. Gjatë qëndrimit në Itali mësohet se ish-efektivi i repartit Komando kishte humbur kujtesën, duke humbur edhe kontaktet me familjen. Më parë ai kishte kërkuar të shkonte përsëri me mision paqeruajtës në Bosnje, por kërkesa e tij u refuzua.  
Vetëvrasja
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30, kur 28-vjeçari ka mundur të shmanget nga sytë e familjarëve dhe ka dalë në ballkon. Policia tha se viktima ka rënë në një lartësi prej 20 metra, duke gjetur vdekjen menjëherë. Një dëshmitar i ngjarjes tha se 28-vjeçari doli në ballkon dhe menjëherë u shemb në tokë. "Ra tek hyrja e grazhdit aty poshtë, tregon burri, që shprehet se nuk ka pasur guxim të shkonte të shihte kush ishte viktima e ngjarjes. "Kishte vdekur menjëherë, megjithatë erdhi policia dhe e morën me ambulancë për në spital", tha dëshmitari. Një grua, banore e zonës, tha se e kishte parë ish-ushtarakun të mërkurën në ashensor dhe ishte përshëndetur me të normalisht. Një fqinj i familjes pohon se, Klodian Xibraku është kthyer nga Italia rreth tre vite më parë, pasi kishte kohë që nuk bëhej i gjallë. "Familja kishte humbur lidhjet me të dhe i ati kur ende punonte në SHIK, mundi ta gjente në Itali". Sipas të njëjtit person, kur është kthyer nga Italia, 28-vjeçari dukej se nuk kishte kaluar një periudhë të mirë. "Thuajse gjatë gjithë kohës familjarët mundoheshin t'i qëndronin pranë dhe dukej sikur kishte nisur të harronte", thonë dëshmitarët. Policia filloi hetimet menjëherë pas ngjarjes, ndërsa trupi i ish-ushtarakut është dërguar në morgun e spitalit civil. Mjekët ligjorë dhe ekspertët në vendin e ngjarjes kanë pohuar se viktima kishte plagë të rënda të shkaktuara nga përplasja në një kangjellë hekuri pranë shkallëve të pallatit. Lidhur me shkaqet e vetëvrasjes, policia ka marrë në pyetje babanë e viktimës, një ish-oficer i Shërbimit Sekret në lirim, si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›