E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodra, pistoleta e 4-t në Botë



Dash Frashëri

Qitësja shqiptare Lindita Kodra, kampione e Europës në garën qitje me zjarr në distancë 25 metra dhe e kualifikuar për “Pekin 2008”, u rendit e katërta në botë midis 60 pjesëmarrësve të garës në Kupën e Botës të Qitjes, që po zhvillohet në Kinë (10.4-204.2008), duke bërë një kërcim të jashtëzakonshëm edhe në renditjen botërore gjithëkohore, pasi ajo renditej më parë e 54-ta. 46-vjeçarja Kodra, kukësjania që përfaqëson klubin Studenti, grumbulloi 782 pikë në total në Kupën e Botës “Pekin 2008”, një rezultat pak më i dobët se ai që arriti në vitin e kaluar në Kampionatin Europian në Granada të Spanjës, po të kemi parasysh se ajo grumbulloi në total 783.4 pikë.
Në Pekin në kualifikueset në gjuajtjet me precizion ajo grumbulloi 291 pikë: në serinë 1 të gjuajtjeve, 98 pikë; në serinë 2, 99 pikë dhe në serinë 3, 94 pikë. Në kualifikueset në gjuajtjet me shpejtësi grumbulloi 290 pikë (95, 97, 98). Në gjuajtjet finale, Kodra, e cila garon që nga viti 1979 në një garë kombëtare dhe nga viti 2001 në një aktivitet ndërkombëtar, grumbulloi 201 pikë.
Serbja Jasna Sekaric, e cila u rendit edhe para në botë në këtë garë, grumbulloi në total 784.4 pikë (294, 585, 199.4) Rekordi botëror është 796 pikë dhe mbahet nga bullgarja Maria Grozdeva, i vendosur në Kinë, më 11 prill 2005. Në vend të dytë doli francezja Stefani Tirode, e cila në total arriti kuotën 784.4 pikë, por që zuri vendin e dytë pas një minigare speciale, ku serbja fitoi 50.6 pikë, kundrejt 50.4 të francezez. Në podium u ngjit edhe mongolezja Munzkul Tsogbadrah, me 783 pikë (294, 583, 783.4).
Pas qitëses sonë në tetë të parat, të cilat kanë të drejtën edhe të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008” u renditën koreania Jumi Gim (781.4 pikë), kinezja Jing Çen (780 pikë), rusja Julia Alipava (778.6 pikë) dhe tajlandezja Tanyaporn Prucksorn me 776 pikë.
Kodra konkurroi fillimisht në këtë Kupë Bote, kur në qitje me ajër 10 metra me 378 pikë, është renditur e 38-ta mes 72 pjesëmarrësve. Në katër raunde, Kodra ka grumbulluar 97, 93, 93 dhe 95 pikë. Në qitjen me ajër, 46-vjeçarja Kodra, krahasuar me Kampionatin Europian të zhvilluar një muaj më parë në Zvicër (mars 2008), nga 372 pikë në Zvicër, tanimë është 378 pikë, por edhe nga 45-ta në Zvicër te e 38-ta në Pekin.
Në Kampionatin Europian të Granadës në Spanjë (11.07.2007), Kodra arriti 783 pikë në total: 584 pikë në kualifikuese, 291 pikë në precizion, 293 pikë në shpejtësi dhe 203.4 në serinë finale.
Lindita Kodra, një nga qitëset më me përvojë në Shqipëri ka marrë pjesë në katër kampionate botërore (2001, 2003, 2006, 2008) dhe katër kampionate europiane (2001, 2002, 2007, 2008). Kjo është pjesëmarrja e dytë ndërkombëtare për vitin 2008 e Lindita Kodrës, sepse kohë më parë ajo mori pjesë dhe në Kampionatin Europian të qitjes me ajër, që u bë në Zvicër.
Kodra ka bërë një kërcim të madh, pasi vetëm pak ditë më parë, në renditjen e fundit e publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Qitjes (ISSF), më 1 prill 2008, përpara fillimi të Kampionatit Botëror në Kinë, Lindita renditej e 54-ta në disiplinë gjuajtje me pistoletë në distancë 25 metra, ndërsa po në këtë disiplinë, qitësja tjetër shqiptare, 36-vjeçarja Klarita Strataj, renditet në botë e 73-ta.

Lindita Kodra
Datëlindja: 11.2.1962
Vendlindja: Kukës.
Vendbanimi: Tiranë
Ekipi: Studenti
Trajner: Diana Mata, Alush Alla
Disiplina: Pistoletë

Qitja dhe kampionët shqiptarë në Europë

Lindita Kodra është shndërruar në simbolin aktual të qitjes shqiptare, por përpara saj atdheu i shqiponjave ka nxjerrë edhe dy kampione të tjera, Elisabeta Karabolli dhe Ermira Dingu.
PAK HISTORI -Federata Shqiptare Qitjes është krijuar në vitin 1948, ndërsa kampionati i parë kombëtar për meshkuj u zhvillua në vitin 1949, ndërsa ai për femra në vitin 1951. Kampionatet zhvilloheshin në nivelet e të rriturve, të rinjve dhe fëmijëve. Poligonet më të famshme dhe më moderne në Shqipëri ishin ato të ndërtuara në Tiranë, Berati e Laç, ndërsa në vendin tonë kishte 24 të tilla.
RAMA - Gara e parë ndërkombëtare i përket Ismail Ramës, i cili morri pjesë në Xhakarta të Indonezisë (1963) dhe në Bukeresht të Rumanisë (1963). Gjithesi rezultati i parë i bujshëm për një qitës shqiptare i përket Ermira Dingut në vitin 1971, e cila atëherë vetëm 19-vjeçe, grumbulloi 589 pikë, vetëm një më pak se vendi i parë në botë për atë kohë për garën me precizion 1x60.
Edhe të rinjtë janë në evidencë ndërkombëtare. Fatmir Dule u shpall kampion Europe në vitin 1972 më 1x60. Ermira Dingu, u rendit e 6-ta, por në vitin 1974 për kategorinë e të rinjve. Në vitin 1975, Liri Beqja me 593 pikë fitoi vendin e parë në 1x60 në Turneun e Pekinit.
KARABOLLI- Në vitin 1977 nis edhe “epoka Karabolli”. Në piostoletë 30x30, vetëm 19-vjeç ajo fiton medaljen e bronzit në Romë, një vit më pas argjentin në Finlandë dhe në vitin 1979 konfirmon dominimin e saj në Gjermani, kur me 587 pikë shpallet kampione Europës. Elisabeta Karabolli është kampionia e parë shqipare në Europë. 21-vjeçarja e atëherëshme e fitoi medaljen e artë në Frankfurt am Main (Gjermani) në vitin 1979, me 587 pikë në pistoletë 30+30. Por, “uria” e Karabollit (sot jeton në Amerikë) nuk ndalet këtu. Në vitin 1980 në kampionatin shqiptar me 593 pikë ajo vendos një rekord kombëtar, duke kaluar dhe rekordin botëror.
DINGU- Një vit më pas, 1980, vendi i pushkës prodhoi edhe kampionen e dytë. Ermira Dingu, me 584 pikë në garën 1x60 precizion u shpall kampione e Europës në kampionatin e zhvilluar në Madrid të Spanjës. Pas 27 vitesh mungesë në shkallën më të lartë të podiumit, u ngjit edhe Lindita Kodra, e cila u kampionia e tretë shqiptare e Europës për të rritura. Kodra arriti ta pronësojë medaljen e artë në pistoletë 30+30 në Granada të Spanjës në vitin 2007. Ajo arriti të grumbullojë 584 pikë në kualifikuese dhe 101.8 pikë në finale dhe në total 685.8 pikë. Edhe për të reja, Shqipëria ka kampionen e saj, Emanuela Kolën, që e fitoi atë në vitin 1982 në Bukuresht. Lindita Zeqo është një tjetër qitëse e madbe e shkollës shqiptare.
KUÇANA- Një emër i madh është Sadik Kuçana, kampion Ballkani dhe nënkampione Europe, i cili në vitin 1979 me 396 pikë në Kampionati Ballkanik barazoi rekordin botërore në 40x3 në pozicionin në gjunjë me, ndërsa në vitin 1984 ai arriti 400 pikë, në pozicionin barkas, pra të 40 fishekët në 10, pra 40 dhjeta. Ky rekord akoma nuk është thyer nga askush në botë. Megjithatë Sadiku hyri në historinë botërore të qitjes edhe për një fakt tjetër. Ai është i vetmi sportist në botë që ka përdorur pushkë sportive, qitje me thep dhe shejëz, sepse të tjerët përdorin dioptrin, pra shënjestrën me rrath.
SHTREPI- Niko Shtrepi, kampion i parë shqiptar në Ballkan (1982). Karriera sportive e Niko Shtrepit do të fillonte në vitin 1969, asokohe në moshën 14 vjeçare, me ekipin e Flamurtarit. Në vitin 1981, Niko Shtrepi shpallet Kampion Evrope dhe sërish një vit më pas (1982) në Athinë, shpallet Kampion Ballkanik me 598 pikë nga 600 të mundshmet. Niko Shterpi arriti të dilte Kampion Ballkani në këtë garë dhe arriti të kapte 599 nga 600 pikët e mundshme në disiplinën e precizonit 1x60.
MUZEU - Beqir Kosova e Shefqet Mata janë emra të tjerë që pasurojnë “muzeun shqiptar” të qitjes. Beqir Kosova në garën me precizion 1x60 me 599 pikë arriti të barazojë Fratatanton, qitësin më të mirë në botë të kësaj fare. Kuarteti shqiptar i përbërë nga Niko Shtrepi (598 pikë), Beqir Kosova (595), Sadik Kuçana (595) e Shefqet Mata (591) me 2379 pikë e grumbulluara në total si skuadër ishte vetëm një pikë larg vendit të parë në botë.
ROBO- Në garat ballkanike shqiptarët kampionë janë një dyzinë. Kristo Robo është kampion i parë shqiptar në Lojërat Mesdhetare (1987) të zhvilluara në Latakia të Sirisë. Më të njohurit e qitjes. Femra: A.Selmani, L.Beqja, L.Zeqo, D.Vjerdha, M. Cinga, E.Dingu, E.Karabolli, D. Mata, L.Pantazo, L.Kodra. Meshkujt: S.Kuçana, P.Kostaqi, B. Kosova, N. Fani, N. Shtrepi, A. Mustafaj, K. Robo, F. Pilkati.

17 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›