E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta, PD bllokohet nga njerëzit e Topit

• Presioni i mbështetësve të Bamir Topit bllokon votimin e nenit 87 të Kushtetutës, për raundin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

BLEDAR HOTI

Deputetët demokratë Dashnor Sula, Sali Shehu dhe Pal Dajçi kanë kontestuar ashpër ndryshimin e nenit 87 të Kushtetutës, ku të nisma e paraqitur parashikohej që presidenti të zgjidhej me një shumicë të thjeshtë parlamentare prej 71 votash. Propozimi i PD-së i firmosur nga 30 deputetë parashikon, që votimi i tillë me një shumicë të thjeshtë të realizohet pas dy raundesh votimi. Në dy raundet e para votimi do të jetë i cilësuar me 3/5, ndërsa në raundin e dytë do të realizohet zgjedhja me 71 vota pro. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho braktisi që në fillim mbledhjen, duke u shprehur se nuk është dakord me këtë nismë të paraqitur.
Debati për presidentin
Të tre deputetët mbështetës, Dajçi, Sula dhe Shehu kanë shprehur votën e tyre kundër ndryshimit të nenit 87, duke propozuar variantin e tyre se: “Pas dështimit të disa raundeve, presidenti të zgjidhjet nga populli”. PS-ja propozoi që ky nen të riformulohet duke përfshirë pesë raunde votimi, ku tre raundet e votimit të jenë mbi bazën e votimit me 3/5, ndërsa dy të tjerët me një shumicë të thjeshtë. Kjo gjë u kontestua nga ana e deputetit të PD-së, Pal Dajçi, i cili ka deklaruar se: “Nuk duhet të ulet niveli i zgjedhjes së presidentit, pasi ne nuk mund të çojmë sekretarë partie dhe ta zgjedhim në këtë post”. “Unë nuk e kuptoj ndërsa Avokati i Popullit zgjidhet me një shumicë të cilësuar me 3/5 e votave, përse presidenti duhet zgjedhur me një shumicë të thjeshtë. Unë, deri më sot nuk kam parë ndonjë krizë për zgjedhjen e presidentit, pse duhet të kemi frikë në zgjedhjen e tij me këtë procedurë, që është tani dhe pse nuk doni ta zgjidhni nga populli”, deklaroi Shehu. Ndërsa kryekomisioneri Fatos Beja e ka kontestuar qëndrimin e tij, duke u shprehur se: “Në tërë këto vite neni 87, procedura e zgjedhjes së presidentit rrezikon të çojë vendin në zgjedhje, prandaj duhet ndryshuar një nen i tillë që të ketë stabilitet në zgjedhje”. Ky qëndrim është kontestuar nga ana e Sulaj dhe Dajçi, të cilët kanë theksuar se kjo nuk ka të bëjë fare me rrezikun e zgjedhjeve, duke insistuar që nëse Kuvendi dështon në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, atëherë kreu i ri i shtetit duhet të zgjidhet nga populli. Pas këtyre debateve është vendosur që të shtyhet riformulimi i këtij neni me qëllim arritjen e një konsensusi politik mes palëve. Ndërsa komisioni votoi pro nenit 5, i cili parashikon mënyrën e mandatit të presidentit të vendit. Kundër kësaj nisme votuan deputetët e PD-së, Sulaj, Shehu, Dajçi, si dhe deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi. Ndërsa është lënë jashtë votimi i për ndryshimin neneve 65, 104, 105 të Kushtetutës. Dy nenet e fundit kanë të bëjnë me mocionin ndaj Kryeministrit.
Takimi në Kryeministri
Pas përfundimit të mbledhjes së komisionit të Ligjeve, si dhe pas takimit me aleatët e vet, Kryeministri Berisha ka thirrur në zyrë tre demokratët mbështetës të Topit, Shehun, Sulaj dhe Dajçin. Ata kanë qenë të parët që kanë ngjitur shkallët Kryeministrisë dhe më pas u është bashkuar kryekomisioneri Fatos Beja. Sipas burimeve mësohet se, tre deputetët pro presidentit kanë pasur të njëjtin qëndrim edhe para Kryeministrit Berisha, duke mos u tërhequr nga ideja e tyre për një president nga populli, në rast Kuvendi dështon pas tre raundesh votimi.  

Nenet që u miratuan

Neni 64
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.
2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.
3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, përcaktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë, përcaktohen në ligjin “Për zgjedhjet”.

Neni 68
1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqet vetëm në një zonë zgjedhore dhe vetëm për një nga subjektet propozuese sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin “Për zgjedhjet”.
2. Në ligjin “Për zgjedhjet”, përcaktohen dhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre”. 

Neni 149
Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi.

Neni 9
Pjesa e 12 e Kushtetutës, “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, shfuqizohet

Dështon tryeza, aleatët debat me Berishën

Partitë e koalicionit të djathtë i kërkojë Kryeministrit Berisha zona të sigurta në disa qarqe të vendit. Për më shumë se dy orë e gjysmë kanë vazhduar negociatat në zyrën e kreut të qeverisë, por në fund asnjë prej aleatëve nuk ka pranuar të flasë për mediat, duke lënë të nënkuptuar se, nuk është arritur asgjë në këto bisedime. Ndërkohë burime pranë këtij takimi bëjnë të ditur për gazetën se, krerët e partive aleate i kanë kërkuar Kryeministrit në shkëmbim të dhënies së votave për të miratuar sistemin e ri zgjedhor, të kenë emrin në disa prej qarqeve për të pasur të sigurt vendin e deputetit. Por këtë kërkesë të aleatëve nuk e ka pranuar Kryeministri Berisha, i cili i ka garantuar nga ana e tij se do të marrin deputetë në proporcion të drejtë me votat që do të fitojnë. Ndërkohë, acarimi më i madh mes aleatëve dhe Kryeministrit Berisha në këtë mbledhje ka qenë pikërisht në momentin që përballë selisë së Kryeministrisë, në atë të Kuvendit, po miratohej në Komisionin e Ligjeve propozimi për ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional rajonal. Bëhet e ditur se kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu, dhe ai i demokristianëve, Nard Ndoka, e kanë quajtur këtë pabesi të PD-së, duke akuzuar segmente të caktuara të kësaj force politike se kanë propozuar pikërisht proporcionalin rajonal për të shmangur partitë e vogla. Ndërkohë, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule duket se, ka pasur një propozim të ndryshëm nga ai i partive të tjera. Burimet bëjnë të ditur se Dule i ka kërkuar kreut të qeverisë një numër të caktuar deputetësh në raport me numrin e minoritarëve në vendin tonë. Të kontaktuar nga gazeta, disa prej krerëve të partive të koalicionit janë shprehur se, kanë pasur një diskutim normal me kryeministrin për të gjetur formulën e bashkëpunimit, por pa dhënë më shumë hollësi dhe duke mohuar zërat për debate gjatë dy orë e gjysmë negociata. Kjo tryezë mes Kryeministrit dhe partive të koalicionit vjen vetëm dy ditë, pasi Berisha i kishte thirrur aleatët sërish në zyrën e tij për të negociuar sistemin e ri zgjedhor. Në atë takim partitë e vogla kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me sistemin e ri zgjedhor, i cili do të vendoset për zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se me këtë sistem partitë e tyre dëmtohen shumë. Berisha i ka garantuar aleatët, se asnjë prej tyre nuk do të jetë i humbur nga ky sistem dhe kjo do të realizohet me paraqitjen nga secila prej forcave politike të listave të mbyllura. Ndërkohë vetëm një ditë më parë, Berisha garantoi edhe publikisht se, nga këto reforma nuk ka të humbur. “Reforma e Kushtetutës dhe sistemit zgjedhor nuk synon cenimin e interesit të asnjë force politike, në të kundërt synon një hap tjetër të madh përpara drejt projekteve madhore të këtij vendi dhe këtij kombi, integrimit”, u shpreh kreu i qeverisë.             a.sh

“Na ruani Kushtetutën nga PD-PS”

Partitë parlamentare i janë drejtuar përfaqësive diplomatike kundër sulmit që PS-PD po i bëjnë kushtetutës.

Aristir Lumezi

LSI, PDS, PAD, PR, PDK, PAA në letrën e tyre informojnë dhe argumentojnë atë që ata e konsiderojnë si vendosjen me dhunë të sistemit mbipartiak në Shqipëri. Partitë parlamentare i kërkojnë diplomacive Perëndimore ndërhyrjen e tyre për të mbrojtur Kushtetutën e vendit. “Do të kërkonim që të përdornit zyrat tuaja për të kërkuar nga PD dhe PS me shumë maturi, kujdes, konsensus dhe përgjegjshmëri politike në lidhje me dokumentin themeltar të shtetit, kushtetutën e Shqipërisë”, thuhet në letër. Letra i është drejtuar përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Tiranë, Lohan, ambasadorit amerikan Uidhërs, ambasadorit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë Robert Bosch dhe të gjitha misioneve të tjera diplomatike në kryeqytetin shqiptar. “Sistemi elektoral që dy partitë, PD-PS kanë propozuar, është një kopje e sistemit proporcional rajonal spanjoll, i cili është hartuar në përshtatje me çështjet specifike dhe kushtet e Spanjës dhe nuk përshtatet me kushtet e Shqipërisë. Duke ruajtur ndarjen aktuale administrative të Shqipërisë me ndryshueshmëri të madhe në dendësinë e popullsisë, dhe rrjedhimisht në numrin e votuesve dhe kandidatëve për deputetë që do të zgjidhen për çdo zonë, ne mendojmë se dy partitë e mëdha do të jenë përfitueset e paligjshme të shumë votave të hedhura për partitë e tjera meqenëse këto parti për shkak të pragut shumë të lartë të imponuar nga sistemi në çdo zonë, veçanërisht në ato me numër të vogël votuesish, mund t’i përfshijnë (llogarisin) për vete këto vota”, thuhet në letrën dërguar ambasadorëve. Më tej në të, sqarohet se “është e qartë se synimi i zgjedhjes së këtij sistemi është promovimi artificial i një sistemi dy partiak në Shqipëri. Për mendimin tonë kjo do të transferojë në legjislaturën e ardhshme virusin e ilegjitimitetit të asaj aktuale”. Partitë parlamentare në letrën e tyre kërkojnë që reforma të mos bëhet vetëm nga dy parti, por nga të gjitha partitë parlamentare. Duke analizuar propozimet e bëra nga PD, partitë parlamentare shprehin shqetësim për cenimin e kompetencave të presidentit përmes tyre. “Eshtë shqetësimi ynë i thellë se këto amendamente që PD do të kalojë në parlament do të krijojnë çrregullime në tërë logjikën e pavarësisë së institucioneve dhe të mekanizmave të kontrollit dhe baraspeshimit në sistemin tonë politik. Ne mendojmë se ndryshimet në kushtetutë kërkojnë diskutim tërësor dhe strategjik dhe duke përfshirë të gjithë aktorët dhe nuk duhet të jenë të nxituara”, thuhet në letër. Ndërkaq kryealeancisti Neritan Ceka i është drejtuar me një letër edhe Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias. Në letrën e tij drejtuar Terry Davis, sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës dhe Gianni Buquicchio, sekretarit të Komisionit të Venecias, Ceka shpreh shqetësimin e nismës aspak serioze dhe pa asnjë konsultim për ndryshimin e kushtetutës edhe për çështjet që s’lidhen me reformën zgjedhore, duke dhunuar hapur procedurat parlamentare. Sipas Cekës, Kushtetuta e cila u ndërtua me aq konsultim dhe maturi edhe me ndihmën e Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias, gjatë viteve 1997-1998, me ndryshimet e propozuara nga PS dhe PD pritet të krijojë precedentë negative me balancat e pushtetit në vend. Në mënyrë urgjente, Ceka kërkon asistencën e këtyre dy institucioneve, për të garantuar diskutimin e gjerë dhe profesional të ndryshimeve kushtetuese para se ato të votohen në Kuvend. 

kerkesat

Në gjykimin tonë, reforma elektorale duhet të jetë gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare    

Ne mendojmë se mandati i komisionit të Reformës Zgjedhore duhet të rinovohet menjëherë dhe ai duhet të mblidhet minimalisht çdo javë derisa të arrihet një kompromis

Ne mendojmë se ndryshimet në Kushtetutë, kërkojnë diskutim tërësor dhe strategjik dhe duke përfshirë të gjithë aktorët dhe nuk duhet të jenë të nxituara.

Përsa i përket anës procedurale, këto amendamente po synohet të aprovohen vetëm në parlament dhe jo me referendum si në rastin e Kushtetutës së vitit 1998, ndaj së cilës kryeministri aktual bëri fushatë kundër 

Ndryshimi i sistemit elektoral kërkon amendamente kushtetuese. PD dhe PS duan ta shfrytëzojnë këtë rast për të prezantuar një numër tjetër amendamentesh, dy nga të cilat, përbëjnë shqetësim të veçantë për ne, siç është kufizimi i kompetencave të Presidentit të Republikës

Do të kërkonim që të përdornit zyrat tuaja për të kërkuar nga PD dhe PS më shumë maturi, kujdes, konsensus dhe përgjegjshmëri politike në lidhje me dokumentin themeltar të shtetit, Kushtetutën e Shqipërisë 

Rama me sms: Firmosni amendamentet e PD-së

Anëtarët e kryesisë socialiste, të cilët janë deputetë kanë marrë “porosi nga lart” për të firmosur propozimet e PD-së. Në orën 17:00, një orë para nisjes së debatit në komisionin e Ligjeve, në zyrën e grupit të deputetëve socialistë, janë mbledhur një e nga një deputetët që janë njëkohësisht dhe anëtarë kryesie për të hedhur firmat e tyre në mbështetje të paktit PS-PD, për të përfunduar po dje të gjitha ndryshimet kushtetuese që dy partitë kishin propozuar. Janë mbledhur në zyrën e grupit deputetët Namik Dokle, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, Shpëtim Idrizi, Erion Braçe si dhe anëtarët e komisionit të Ligjeve, Xhafaj, Isaraj, Majko, Klosi, Dervishi, Sherifi. Aty ata kanë mësuar se duhet të hidhnin firmat e tyre në një listë me 29 deputetët e djathtë, që dje kishin firmosur amendamentet e tyre. Por reagimi ka qenë e menjëhershëm për të mos pranuar një gjë të tillë, e cila do të konsiderohej si mungesë dinjiteti politik. Ditën e hënë, grupi parlamentar socialist nuk kishte pranuar amendamentet e PD-së sepse atyre u mungonin firmat e deputetëve propozues, ndërsa me vendim politik, dje atyre iu kërkua të firmosnin amendamentet e PD-së. Ky reagim i disa prej deputetëve, anëtarë të komisionit të Ligjeve, ka bërë që “porosia nga lart”, të anulohet dhe të mos pranohet. Burime pranë deputetëve pohojnë se, do të ishte një turp që deputetët socialistë të firmosnin në listën e PD-së për gjoja një konsensus pozitë-opozitë për ndryshimet në Kushtetutë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›