E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbin 37 mijë fishekë, në gjyq ushtaraku

TIRANE Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet dhe dërgoi si të pandehur në Gjykatën e Tiranës një ushtarak të akuzuar për shpërdorim të detyrës. Sipas Prokurorisë, ushtaraku Olsi Kërpi, me gradën Nënoficer në Forcat e Armatosura, dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 15 milionë e 718 mijë lekësh. Referuar kërkesës për gjykim, të përgatitur nga prokurori Petrit Bica, 34-vjeçari Kërpi ishte me detyrë në kompaninë e zbulimit në repartin numër 1004 në Zall-Herr. Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se ai është kallëzuar nga gjenerali Viktor Berdo. Nënoficeri është kallëzuar pas një inventari të realizuar në një depo armatimi të repartit të zbulimit, të cilën ai kishte për detyrë ta ruante. Sipas Prokurorisë, inventari zbuloi mungesa të mëdha të fishekëve. Referuar hetimeve, nga inventari i kryer rezultonte se mungonin 14 mijë fishekë model 55 për pistoletë dhe 23 mijë e 415 fishekë model 56 për automatik, të gjithë të kalibrit 7.62 mm. I pyetur gjatë hetimeve, nënoficeri Kërpi ka shpjeguar se mangësitë në numrin e fishekëve janë për neglizhencë të tij. Sipas deklarimeve të tij, në kohën kur ushtarakët tërhiqnin fishekë për të kryer qitje, ai nuk i kishte regjistruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›