Nuk hodhën të dhënat në regjistrin dixhital, gjobiten 14 përmbarues

Eduard Halimi
TIRANE Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka ndëshkuar me gjobë 14 përmbarues privatë që nuk kishin hedhur të dhënat e veprimeve të tyre në regjistrin dixhital të përmbaruesve. Masat administrative në masën nga 30 deri në 40 mijë lekë ndaj përmbaruesve janë caktuar në përfundim të një kontrolli tematik në zyrat e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Objekti kontrollit ishte verifikimi i funksionimit dhe përdorimit të sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve përmbarimore ALBIS nga përmbaruesit gjyqësorë privatë. Burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë njoftuan se në përfundim të kontrollit të ushtruar rezultoi se nga 114 përmbarues gjyqësorë privatë, 14 prej tyre nuk kanë përdorur sistemin e regjistrimit të çështjeve përmbarimore (ALBIS), duke mos hedhur në sistemin dixhital të dhënat. Sot, më datë 03.08.2012, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, pas përfundimit të hetimit administrativ dhe ndjekjes së procedurës sipas ligjit, është vendosur dhënia e masës disiplinore me gjobë në masat 30 000 40 000 lekë për 14 përmbarues gjyqësorë privatë, thuhej në njoftimin e Ministrisë. Sipas burimeve, moshedhja e të dhënave në sistemin dixhital nga ana e përmbaruesve gjyqësorë privatë përbën shkelje disiplinore të mosevidentimit në mënyrë të rregullt të të gjitha akteve dhe veprimeve procedurale të kryera gjatë veprimtarisë së ekzekutimit. ar.ba
Heqje licence
Moshedhja e të dhënave në sistemin dixhital mund tu kushtojë përmbaruesve deri në heqjen e licencës së ushtrimit të profesionit. Në rast të përsëritjes së këtij fenomeni, Ministria e Drejtësisë është e vendosur të marrë të gjitha masat për ndëshkimin e devijantëve, në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara nga ligji, duke marrë masa për gjobitjen dhe heqjen e licencës së ushtrimit të profesionit, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.