E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbin jetën 3 të rinj, makina e tyre përfundon në kanal

Dalja nga rruga e një makine tip BMË me targa angleze u ka marrë jetën tre të rinjve shkodranë, në një aksident të ndodhur rreth orës 1 pas mesnate. Vëllezërit Përparim e Besim Haliçaj, 36 dhe 32 vjeç dhe 27 vjeçari Selami Hakaj po udhëtonin nga Velipoja në drejtim të Shkodrës. Një defekt në pjesët xhenerike të sistemit drejtues, ndoshta edhe përgjumja e drejtuesit të saj, Përparim Haliçaj, por edhe shpejtësia mbi normat e lejuara, kanë bërë që makina të rrotullohet disa herë në rrugë, pranë Urës së Gjolulit dhe të përfundojë në një kanal. Aty ka qendruar për gati 5 orë dhe u gjet rreth orës 6 të mëngjesit nga kalimtarë të rastit, me trupat e pajetë të tre të rinjve në kabinë.
Për nxjerrjen e trupave të viktimave është nevojitur edhe ndërhyrja e zjarrfikësve. Ky aksident, i pari i këtyre përmasave për këtë vit në këtë aks, e rëndon bilancin tragjik të fatkeqësive në rrugët e vendit. Prej të dielës 14 persona kanë humbur jetën, 17 të tjerë janë plagosur. Në të gjitha këto aksidente, shkak është bërë shpejtësia dhe mos respektimi i rregullave të qarkullimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›