E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi me pasaportat biometrike,pranga katër falsifikatorëve

Katër të arrestuarit mashtruan një qytetar që kërkoi pasaportë biometrike të falsifikuar, duke stampuar në faqet e brendshme të saj të dhëna të rreme. Pasaporta u kap në Portin e Durrësit, teksa poseduesi i saj tentonte të udhëtonte drejt Italisë

Tiranë Katër persona të dyshuar si falsifikatorë të dokumenteve zyrtare kanë përfunduar dje në pranga pas një operacioni policor nën drejtimin e njësisë “Task-Forcë” në Prokurorinë e Durrësit. Ermal Mana, 24 vjeç; Myslim Hysko,47 vjeç; Tonin Lekgegaj, 41 vjeç; dhe Agim Ahmataj, 29 vjeç; u prangosën ditën e djeshme, pas dy muaj hetimesh nga Prokuroria e Durrësit, e cila arriti të provojë aktivitetin e tyre si falsifikatorë. Fillimisht policia arriti të bjerë në gjurmët e të dyshuarve, pas denoncimit të një qytetari, i cili kishte paguar një shumë të konsiderueshme parash për të përfituar një pasaportë biometrike me identitet të rremë. Duke tentuar t’u shmanget problemeve në Itali, personi në fjalë ka porositur te të dyshuarit pasaportë biometrike të falsifikuar, e cila në fakt ka qenë pasaporta ekzistuese, por me të tjera të dhëna, që ishin stampuar në faqen e të dhënave personale. Pasi ka marrë pasaportën në këmbim të një shume të konsiderueshme parash, personi në fjalë ka tentuar të udhëtojë drejt Italisë nëpërmjet portit të Durrësit, por është ndaluar nga autoritetet policore, pasi pasaporta e tij nuk ishte regjistruar në sistem. Ky fakt është referuar në Prokurorinë e Durrësit, e cila pas rreth dy muaj hetime ka mundur të zbulojë rrjetin e falsifikatorëve, të cilët ishin në gjendje të falsifikonin një numër të konsiderueshëm dokumentesh, përfshi edhe leje qëndrimi të disa vendeve europiane. Sipas Prokurorisë, rezulton se të arrestuarit e ushtronin aktivitetin e tyre në dy baza, në qytetin e Tiranës dhe Durrësit. “Këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë, në dy baza falsifikimi në Tiranë dhe Durrës, kundrejt pagesave që varionin nga 50 deri në 2000 euro, pajisnin shtetas të ndryshëm me dokumente të falsifikuara si: leje qëndrimi për jashtë Shqipërisë, leje qarkullimi, siguracione për automjete, pasaporta të shteteve të ndryshme”- tha dje policia. Nga kontrolli i ushtruar në këto dy baza, policia ka sekuestruar disa dokumente të falsifikuara, si leje qarkullimi, vërtetime në emër të institucioneve të ndryshme shtetërore. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe fletë pasaportash italiane, që përdoreshin për falsifikime, dy pasaporta shqiptare tip i vjetër të falsifikuara, tre kompjutera si dhe printera, skaner, USB e CD, që përdoreshin për falsifikim të dokumenteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›