E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbja e paralajmëruar, Braun i shpreh publikisht dashurinë Sarës

Autori i Lajmit: Redaksia

Londër – Sarah e ka përshkruar atë si një “hero” dhe, pasi e ka shoqëruar për javë të tëra gjatë fushatës së laburistëve, Gordon Braun mendon se ai i duhet ti kthejë gruas së tij të njëjtin nder. Kryeministri britanik e ka lavdëruar gruan e tij direkt gjatë një interviste mëngjesin e djeshëm, madje i tha dhe se e donte përpara gjithë britanikëve. Ndërsa në lidhje me të ardhmen e tij, nëse laburistët do të humbasin në zgjedhjet e së enjtes, zoti Braun deklaroi se ai “do të merrte të gjitha përgjegjësitë” menjëherë sapo të kishte përfunduar numërimi i votave. Kur kanë ngelur dhe 24 orë nga dita e votimit, çifti kryeministror dha intervistën e tij të parë direkte në atë që dukej si një përpjekje e fundit e kryeministrit për të fituar popullaritetin e humbur gjatë këtyre ditëve. Me duart shtrënguar, çifti u ul pranë njëri-tjetrit në kolltukun e emisionit të mëngjesit të televizionit GMTV. Ndërsa bashkëshorti i Zonjës së Parë i drejtoi një lumë komplimentesh, Sarah vihej shpesh në siklet. Kryeministri Braun pranoi se ai do të ishte mërzitur, nëse dikush do ti kishte sulmuar të shoqen gjatë fushatës. Sarah ka qenë një prezencë e vazhdueshme përkrah Gordonit gjatë gjithë muajit të fundit, ndërsa ai lufton për mbijetesën e tij politike. “Unë mendoj se ajo është duke bërë një punë shumë të mirë si nënë, por dhe si grua dhe bashkëshorte”, - tha Braun. Në lidhje me fyerjen që ai i bëri një gruaje pak ditë më parë në Mançester, të cilën Braun e quajti një “fanatike” dhe që i ka kushtuar një rënie të ndjeshme të popullaritetit, Braun tha: “Jam unë ai që duhet të marr fajin, jam unë ai që duhet të marr përgjegjësinë. Nëse është bërë një gabim, është faji im dhe unë e pranoj përgjegjësinë. Mendoj për punën e madhe që Sarah ka bërë përkrah meje, ka udhëtuar dhe punuar kudo duke më mbështetur. Unë e dua gruan time”, - përfundoi kryeministri duke falënderuar publikun. Nëna e dy fëmijëve, një eksperte e marrëdhënieve publike, Sarah është konsideruar si një grua me shumë ndikim në jetën e Braunit dhe shumë ekspertë laburistë mendojnë se Zonja e Parë ka ndihmuar që bashkëshorti të tregojë anën e tij më njerëzore si lider i partisë. Por ajo është kritikuar dhe për shkak se nuk ka munguar asnjë moment të shfaqet përkrah burrit të saj gjatë fushatës intensive të laburistëve, madje duke lënë pas Samanta Kamerun (gruan e konservatorit David Kamerun) apo bashkëshorten e liberaldemokratit Nik Kleg, Miriam. Në një nga të paktat vizita ku ajo nuk ishte e pranishme ishte dhe në Rokdale të Mançesterit, ku Braun bëri gafën e pafalshme. E pyetur nëse ajo mund ta kishte ndaluar nervozitetin e bashkëshortit dhe për rrjedhojë dhe shmangien e gafës, Sarah tha: “Nuk e di me të vërtetë”,- por përsëriti se burri i saj ishte “absolutisht i ofenduar”.
Ky lajm është publikuar: 05/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›