E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbje e merituar, fitore “e dhuruar”

Përmasat, përqindjet dhe shifra e mandateve të fitores së PSsë dhe të humbjes së PD-së kanë befasuar edhe ata që mbaheshin si
fallxhorë apo astrologë të fortë, por edhe vetë Edi Ramën dhe Sali Berishën, si dhe komunitetin e analistëve politikë shqiptarë e ndërkombëtarë. Duhet të kemi parasysh disa rrethana apo veçori. Jemi një vend ballkanik, i dalë as 23 vjet më parë nga diktatura më ekstreme dhe më çnjerëzore, me një investim rreth 50-vjeçar nga propaganda komuniste, që kishte një nga mburrjet dhe “fitoret” e saj më të mëdha, “krijimin e njeriut të ri komunist”. Edhe pse patën një jetë mizerabël në sistemin e Enver Hoxhës, edhe sot e kësaj dite vazhdon të ndeshesh me njerëz që kanë nostalgji për të dhe marrëzinë të thonë se ishim më mirë në kohën e tij?!
Ky rezultat përcjell edhe mesazhin se, për mentalitetin bashkëkohor shqiptar, dy mandate qeverisëse në nivel qendror janë shumë dhe tri janë tepër dhe të padurueshme.
Duke iu referuar këtyre, nuk ka përse ta vlerësojmë dhe trajtojmë këtë rezultat as si krejt të papritur e as si plotësisht anormal. Nëse pretendojmë se jemi evropianë, fituesit meritojnë të përgëzohen po kështu edhe nga humbësit e të festojnë dhe gëzojnë po si evropianë. Por, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të nesërm do t’u këshillonin me sinqeritet që me t’u ulur në kolltukët e pushteteve, të përmbanin urinë, etjen dhe epshin 8-vjeçar për përfitimet e posteve dhe të nisnin me të gjitha energjitë dhe kapacitetet e tyre odisejadën për realizimin e programit dhe të premtimeve të tyre. Kështu, do të kishin mundësi ta shtynin sa më shumë që të ishte e mundur shpërthimin masiv të zhgënjimit e të pakënaqësive, edhe prej atyre qytetarëve që u falën votat me shumë shpresa e besim dhe që po gëzojnë, thua se kanë fituar e do të fitojnë njësoj sa ata që do të ulen në kolltukë të “artë”. Këta që do të ulen në këta kolltukë qofshin me fat, që kur të hapin sirtarët e Berishës dhe Bodes, të mos u ndodhë ajo që thotë një shprehje e popullit “hyn miu dhe thyen kokën”, si dhe ajo që kanë përjetuar komshinjtë tanë grekë, që kanë mbetur me muaj të tërë pa marrë paga e pensione.
Sikur u zgjata ca me këtë hyrje. Në të vërtetë qëllimi kryesor i këtij opinioni është analiza e humbjes së PD-së, sipas këndvështrimit tim subjektiv, duke vënë në dukje disa nga shkaqet apo argumentet që e bëjnë të merituar.
Sipas meje, arsyeja e parë duhet kërkuar dhe gjendet tek bajatosja apo ndryshkimi i shumicës së ministrave dhe si rrjedhojë e pashmangshme e gjithë ekipit qeveritar “Berisha 2”, me disa qeveritarë edhe nga ekipi “Berisha 1”, të shndërruar në karta të djegura qysh në mandatin e parë. Mbetja e tyre në ekipin “Berisha 2” nuk është thjesht çështje fati, por edhe parapëlqimi dhe vendimi nga kryeministri Berisha. Ky, ashtu si në periudhën qeverisëse 1992-1997, ka treguar se është partizan i mosrinovimeve të shpeshta të ekipeve të tija qeveritare. Pa harruar “divorcin” e menjëhershëm me ish-ministrin Ylli Pango dhe pranimin në çast të dorëheqjes së ish-ministrit Besnik Mustafaj, Berisha nuk u ka treguar menjëherë derën edhe atyre ministrave që, duke u dehur apo velur nga përfitimet e mëdha në poste, si dhe nga detyrat e tjera në parti dhe në borde bankash, OJQ-sh etj., më shumë e dëmtonin sesa i jepnin, sidomos në imazhin dhe kredibilitetin qeverisës dhe konstruktiv, si dhe për nga aspekti i pastërtisë së figurës. Kështu këta kanë cenuar dhe njollosur padrejtësisht edhe punën dhe imazhin e atyre ministrave, që ishin me të vërtetë të suksesshëm e “të pastër”, duke i bërë edhe ata viktima të një alergjie masive qytetare dhe duke masivizuar dhe përforcuar bindjen për rotacion.
Gjatë takimeve me qytetarë të thjeshtë dhe nga komunitete të tjera, si të biznesit, të fermerëve, të ndërtimit, të shëndetësisë, të arsimit, sporteve etj., që ishin me të vërtetë të dobishme, Berisha zbuloi me bollëk pika të dobëta të ministrive përkatëse, si dhe të gjithë qeverisë së tij. U mundua t’i mbyllte në vend ose sa më shpejt që ishte e mundur disa prej këtyre pikave të dobëta, por, gjithsesi ishte shumë vonë. E keqja tjetër ishte se ai mbeti i vetmuar në këtë praktikë, sepse shumica e ministrave të tij nuk e kishin si ai, praktikë pune, komunikimin e përditshëm me popullin, nëpërmjet pritjeve në kabinetet e tyre, nëpërmjet celularëve, “Facebook”-ut, “Twitter”-it, kthimit të përgjigjeve në linjë postare...
Një faktor tjetër që solli këtë humbje befasuese dhe shokuese të së djathtës është euforia masive në lidershipet e partive të koalicionit të këtij krahu për një fitore të tretë, me rreth 70-75 mandate, thuajse të sigurt. 10.000 km rrugë, dyfishimi i pagave dhe pensioneve, rreth 4 milionë turistët e huaj dhe rreth 750 milionë euro investime të huaja gjatë vitit 2012, 12-13- fishimi i shtrirjes së internetit dhe dixhitalizimit, 1200-1300 shkollat e reja apo të rikonstruktuara etj., etj., mitingjet shumë masive dhe entuziaste, sollën eufori dhe fjetjen mbi dafina, harresën e zgjimit nga gjumi letargjik të seksioneve dhe degëve të PD-së. Nga ana e tyre, celulat e PS-së kishin kohë që punonin ditën dhe natën, në qendrat e tyre, nëpër shtëpi, shkolla, rrugë, lokale, autobusë, furgonë, avionë, në vend dhe në diasporë. Kudo ku shkelnin shpërndanin nihilizëm, negativizëm, shpifje dhe fyerje ndaj punëve të qeverisë dhe ndaj Berishës personalisht. Njëkohësisht, ka informacione të besueshme se jo pak “komisarë” të PS-së kanë shkuar nëpër familjet e varfanjakëve, nën hundën e drejtuesve lokalë të PD-së, edhe si babagjyshi i Vitit të Ri, me thasë mbushur me premtime e dhurata financiare, materiale, ushqimore etj.
Një arsye tjetër e fortë për humbjen katastrofike të PD-së e të së djathtës si aleancë mund të kërkohet dhe gjendet tek koalicioni dhe bashkëjetesa afro 4-vjeçare në qeverisje me LSI-në. Edhe pse ishte zgjidhja e vetme e mundshme për të marrë dhe mbajtur pushtetin më 2009-ën, përsëri u prit me pakënaqësi dhe kundërshtime nga një masë jo e pakët e anëtarëve dhe votuesve tradicionalë të PD-së dhe të partive të tjera të djathta. Ligjërisht dhe formalisht LSI-së iu dha 20% hapësirë, por nga PD-ja dhe qeveria nuk pati kontrolle se si dhe sa u respektua ky limit. Duke përfituar nga kjo tolerancë dhe bujari e PD-së, në dikasteret e drejtuara prej saj LSI-ja futi anëtarë, militantë dhe dashamirës të saj shumë më tepër se 20%, duke guxuar t’u hapte vend edhe duke larguar më tepër anëtarë, votues dhe militantë të PD-së sesa të PS-së. Nëpërmjet kësaj strategjie të hollë Ilir Meta shpëtoi edhe Dritan Priftin, vetveten dhe LSI-në nga penalizimi prej videos 700 mijë euro dhe nga rastet e arrestimit të disa zyrtarëve të saj për korrupsion, sidomos në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, në METE; në Ministrinë e Shëndetësisë etj. Njëherazi, nuk mund të mos shkohet deri aty sa të thuhet se ia la faturën apo kopilin në derë PD-së dhe ia uli ndjeshëm asaj aksionet dhe peshën politike në parlamentin e ri.
Megjithatë, është fakt i pamohueshëm dhe i pandryshueshëm se PS dhe aleanca që udhëheq ajo ka fituar bindshëm dhe me meritë, duke pasur një program të varfër dhe një strategji të mirëpërgatitur e të realizuar mjeshtërisht, nga ekspertë me përvojë të hershme dhe bashkëkohore. Nga ana tjetër, me argumentet që rendita më sipër, mund të thuhet se është ndihmuar jo pak edhe nga vetë PD-ja dhe qeverisja e saj. PD-ja, ndoshta pati strategji shumë më të plotë e më cilësore dhe program më të pasur e më konkret, por mund të thuhet se u ndëshkua rëndë, sepse nuk parandjeu me kohë alergjinë që kishin për të shumë qytetarë, që dëshironin fytyra të reja në qeveri dhe rotacion pushteti, dhe nuk kuptoi lojën në prapaskenë të PS-së, sidomos të miliarderëve të saj.
Megjithatë, kjo e keqe që u ra si mal mbi kokë PD-së dhe aleancës së saj, që kërkon dhe duhet të ketë edhe kurbanë, pas një analize të thellë dhe reflektuese në të gjithë piramidën e PD-së, mbart dhe do të ketë edhe ca të mira për të gjithë shqiptarët. Vlerësimi me notë pozitive i procesit zgjedhor, kjo shumicë kartonësh në duart e mazhorancës së re, do të ndikojë dhe ndihmojë për përshpejtimin e procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE dhe të anëtarësimit të plotë. Gjithashtu, inshallah PS-ja arrin të bëjë çudira e mrekullira, të mbajë, qoftë edhe gjysmën e premtimeve paraelektorale, të fitojë me taksën progresive mbi sfidat e papunësisë, të varfërisë, të rritjes ekonomike e të mosgremisjes në krizë të thellë, të na nxjerrë nga “ferri” i Sali Berishës dhe të na fusë në parajsën e Edi Ramës.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›