E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama kryeministër? Normale t’i takojë PS-së

TIRANE- Kreu i LSI-së, Ilir Meta pohoi dje, se kryeministri i vendit do t’i takojë Partisë Socialiste. Gjatë një interviste në televizionin “TCH”, ai deklaroi se është normale që përgjegjësinë e administrimit të qeverisë ta marrë Edi Rama dhe PS-ja si forcë kryesore e koalicionit fitues. Ndërkohë, gjatë një interviste në emisionin “Tonight” të Ilva Tares, ai tha se, “çështja e kryeministrit është një çështje që i takon Partisë Socialiste, normalisht si parti e parë e koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’”. Pas kaq kohësh që diskutohej kjo gjë, Meta tha për herë të parë se do t’ia lërë aleatit të tij këtë post. Por, nuk ka dhënë një përgjigje të saktë sa i përket pyetjes nëse ai do të jetë në pozicionin e kreut të Kuvendit. 

I pyetur nëse kjo marrëveshje do t’i rezistojë kohës, Meta tha se: “Kjo është çështje vullneti dhe vullneti ynë është për t’i qëndruar marrëveshjes, sepse vendi ka nevojë për marrëveshje, ka nevojë për bashkëpunim. Jo vetëm për një bashkëpunim të qëndrueshëm PS dhe LSI dhe gjithë partive të tjera të kësaj aleance fituese, por edhe për një frymë bashkëpunimi më të gjerë në të gjithë jetën politike dhe shoqërore”. Sa i përket asaj se sa e vështirë mund të jetë të bashkëqeverisë Gjinushi me zotin Rama, Meta tha se: “Jo, nuk e kam këtë frikë, se për aq kohë sa do të kemi z.Gjinushi, ai mund të japë ndonjë kontribut që të jetë sa më i larmishëm koalicioni”. Meta nuk dha asnjë përgjigje në lidhje me ndonjë pozicion të tij në qeverisjen e ardhshme.

I pyetur se a ka Berisha një meritë për rotacionin politik, Meta tha se: “Merita më e madhe i takon popullit shqiptar dhe natyrisht z. Berisha është pjesë e popullit shqiptar”. Ndërkohë, deputeti i Beratit tashmë, Nasip Naço deklaroi duke thënë se: “Ne jemi bërë lokomotiva e së majtës në këtë qark. Ne e tërheqim të majtën jo vetëm në këtë qark, por në të gjithë Shqipërinë”. I pyetur nëse u qëndron deklaratave për ta bërë Metën kryeministër, Naço tha se: “Nuk ka qenë deklaratë në eter, por e kam pasur parasysh se LSI do të ishte forcë e parë në Berat e në të gjithë Shqipërinë. Në qarkun e Beratit ne jemi rritur me 22 mijë vota dhe ata që rrinë në vend janë vagonët pasi lokomotivat ecin përpara”, - tha Naço.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›