E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtegu pa krye i liderit të PS

Eva ALLUSHI 

Lideri i PS, Edi Rama, po trumbeton sot një kauzë që gjithmonë mbetet e drejtë: Të hapen kutitë, të lexohet vota. Por kauza për nga vetë thelbi është e përkohshme, sepse nëse hapen kutitë, mbyllet kauza.
Po ndërkohë kauza në një kuptim është edhe e ngushtë, sepse është specifike, ajo nuk na thotë asgjë për misionin e ri të PS në opozitë. Ky mision nuk beson kush se gjendet brenda kutive dhe po u hapen ato.
Gjendur pa mision, roli i PS në opozitë po eklipsohet nga një kauzë afatshkurtër, e cila po mbyt çdo strategji të mundshme për mënyrën sesi do t’u ridrejtohemi përkrahësve dhe ç’i ofrojmë këtij vendi, të gjendur përballë kësaj maxhorance.
Lidershipi po e trashinon PS-në, tërë elektoratin, opinionin publik, madje dhe ndërkombëtarët, të cilëve kohët e fundit u kemi gjetur punë, pra të merren me ne, drejt një qëllimi, i cili është kryer më 28 qershor. Edhe me gjithë përpjekjet e mia për t’i shtuar ndonjë element tjetër, këtu fillon dhe mbaron aksioni i ri po aq edhe i vjetër i PS.
Ndodhur nën dallgët pasionante për pushtet të liderit të saj, pakkush çoi në mendje në ditët e vrullshme pas 28 qershorit pasojat që do të jetoheshin nga stanjacioni politik, që u vendos në PS pas një farse elektorale votimesh.
Unë e njoh dhe arsyetimin e vakët, pa një fije besueshmërie se Ramës i duhej dhënë dhe një mundësi tjetër. Po askush nuk mund të mohojë gjykimin e shëndoshë se mundësia katërvjeçare që iu dha ishte shteruese.
Pa dashur të ndaloj edhe një herë tek gjithë sa është thënë për dramën katërvjeçare në opozitë, ku autor, skenarist dhe regjisor ishte vetëm NJËSHI, dua të theksoj se gjithë sa po ndodh pas 28 qershorit, flet më së miri për mundësinë shteruese.
Partia Socialiste ka mbetur peng i drejtuesit të saj dhe nuk po arrin të çlirohet dhe të njohë të vërtetën e hidhur të 28 qershorit; ajo po jeton makthin e një pëlhure të thurur si në tragjeditë e Shekspirit.
Është e padrejtë që Partisë Socialiste sot po kërkohet t’i vishet një kostum i vjetër, po kërkohet t’i ndryshohet profili, nga një parti lider në fushën e zhvillimit të mendimit politik modern, në një parti me profil të ngushtë e me qëllime të stisura.
Është e padrejtë dhe e pandershme të shfrytëzosh idealizimin e elektoratit, ta tërheqësh zvarrë atë në një shteg pa krye, duke e katandisur forcën politike më të madhe në vend në një konsumatore ambiciesh personale.
Është e padrejtë dhe e pandershme, dhe po aq e dëmshme që udhërrëfyesen e procesit të integrimit, Partinë Socialiste, e cila i hapi gjithë sinjalet, kur e ktheu vendin nga tokë e djegur kur mori pushtetin, në partneren e denjë të negociatave për integrim, ta kthesh sot në problemin e ndërkombëtarëve me bojkotet e njëpasnjëshme, të cilat nuk çojnë gjëkundi.
Është faj historik, t’u thuash qindra mijë njerëzve që të përkrahin se ti je disfatist, se nuk mbron dot votat, se nuk fiton dot, kur kundërshtarin përballë e kemi mundur në një shumicë betejash historikisht gjatë viteve të pluralizmit.
Dhe së fundi, është përgjegjësi ndaj vendit të strukesh në kullën tënde të inatit, dështimit, hakmarrjes, mosfuqisë e boshllëkut, duke e dënuar forcën tënde politike të mos ringrihet.
Kjo është një peshë e madhe, të cilën askush nuk e ka mbajtur ndonjëherë në PS.
E nesërmja do të gjykojë pa interesa në sfond, pa presion e pa lobime dhe atëherë do të jetë vonë, shumë më vonë se 28 qershori, kur i thamë Ramës: Je vonë.
Deri kur do t’u arratisemi betejave? Dhe sa kohë do të braktisim vullnetin e shqiptarëve që na qëndrojnë në krah për të zhbërë një pushtet me në krye Berishën.
Dhe sa kohë një ushtri tërhiqet, aq më shumë terren i lirë i lihet kundërshtarit në betejë. Dhe kundërshtari është po ai i djeshmi, i Gërdecit e i Fazlliçit, kur ne zgjodhëm të bënim politikën e re, të cilën sot lideri i PS e braktisi aq lehtësisht, atë që në fakt për katër vjet kërkoi t’ua impononte shqiptarëve si bukën e përditshme.
Po ne jemi një PS, nuk jemi dy. Nuk mund të jemi një PS dje dhe një tjetër sot. Një filozofi dje dhe një tjetër filozofi sot. Ne ose jemi për frymë të re bashkëpunimi për reformat e mëdha në vend…ose jemi për bojkot. Ne ose jemi me Berishën për të ndryshuar kushtetutën dhe çdo gjë që kemi dëshirë, ose jemi kundër Berishës. Për të mos folur për bashkëpunime të natyrave të tjera, të cilat ndoshta ndikuan një politikë të tërë…
Pra kush jemi ne? Kur dhe si e përftojmë ne identitetin tonë? Vetëm në dhe me fitore?
Po PS nuk e humbi, përkundrazi e konsolidoi identitetin, e rriti personalitetin dhe në ditët më të errëta të periudhës më të vështirë postkomuniste në Shqipëri.
Po sot si jemi?
Më shumë kemi frikë nga pasqyra e vetvetes. Kur i marrim të vegjlit e Berishës e i bëjmë deputetë, s’ka gjë se jemi të hapur, përtej kësaj e asaj... mjafton të mos kenë zë, e na dalin socialistë të kulluar.
Kur ata që kanë kontribuar për vite me radhë në rrugën e gjatë të PS, e sot kanë zë, si janë? Ata dalin të Berishës.
Këto pyetje e pikëpyetje nuk duhet të shtroheshin sot. Sepse misionet e mëdha nuk ka humbje që i ndryshon dhe i kthen në të vogla, veç në qoftë se misionari nuk e përmbush dot misionin.
Por ja që ndodh edhe kështu.
Tashmë me rrugën e nisur, 28 qershori duket se është beteja më e vogël që ka humbur PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›