E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga biznesmenit të akuzuar për vrasje

Një biznesmen i kërkuar për vrasje prej tetë vitesh është arrestuar nga
Policia e Tiranës, sapo është kthyer dje nga Gjermania. Ndue
Gjeloshaj është kapur në Rinas, teksa udhëtonte me pasaportë me emër
fals. Burimet policore thanë se ai akuzohet pasi më datë 5 prill të vitit
2000 ka vrarë Kujtim Karajn në një konflikt të momentit. Sipas policisë,
kjo ngjarje ka ndodhur në ambientet e një hoteli në Tiranë. Viktima, bashkë
me një bashkëpunëtorin e tij, ka qenë duke tërhequr zvarrë një mikun
e Gjeloshajt, pasi e kishin pyetur se ku ndodhej një person dhe ai nuk u
kishte treguar. Ndue Gjeloshaj, i cili dëgjon grindjen, zbret nga kati i sipërm
i hotelit dhe sheh dy persona që po tërhiqnin zvarrë Ndoc Maklekajn, të
cilin e ka djalë daje. Sheh gjithashtu që njëri prej agresorëve mbante në
dorë një pistoletë. Pas këtyre momenteve, Ndue Gjeloshaj merr një automatik
në banakun e sportelit, e mbush me fishekë dhe duke shfryrë
me fjalë në drejtim të personave, e drejton armën te personat që po tërhiqnin
Ndocin. Në atë moment, dy personat tentojnë të largohen, por
Gjeloshaj qëllon dhe si pasojë plagos rëndë njërin prej tyre, Kujtim Karajn,
i cili vdiq më vonë në spital. Për këtë akuzë, ndaj Gjeloshajt, Gjykata e
Tiranës, me vendim të datës 18 tetor 2006, ka caktuar masën e sigurisë
"arrest me burg", ndërkohë që ende nuk është dënuar. Policia tha se kishte
tri javë që punonte për kapjen e këtij personi, pasi ishte vënë në dijeni
se dje do të "zbarkonte" në Rinas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›