Humbjet letrare të Kutelit në diktaturë
alma mile
Plot 43- vite të shkruara gazeta e Lidhjes së Shkrimtarëve e njoftoi me vetëm 5 radhë vdekjen e tij. Redaktorit të gazetës “Drita” iu hoq vërejtje, jo sepse kishte shkruar kaq pak për njeriun që solli në shqip kolosët e letërsisë botërore dhe e futi në një rrjedhë të re prozën shqipe, por sepse e kishte shoqëruar këtë pako shkrim me fotografi. Këtë “nder” e meritonin vetëm ata që kishin luftuar për çlirimin e vendit. Ndërsa Mitrush Kuteli kishte damkën e njeriut të dënuar me burg e internim. Pas disa ditësh mbushen 43- vjet që nga ikja e beftë e Mitrush Kutelit (Dhimitër Paskos), njërit prej figurave më të shquara të letrave shqipe. Në prag të kësaj dite, studiuesi Behar Gjoka boton librin studimor “Kuteli dhe letrarja”. Figura e Kutelit ka qenë gjithnjë e mbuluar nga një tis mjegulle dhe duket se asnjëherë nuk është studiuar sa duhet. Gjoka bën një përpjekje për ta shpërndarë këtë mjegull, duke marrë në analizë veprën e shpëtuar të Kutelit, strukturën, gjuhën, letraren, fabulën, linjat, realizmin... por edhe për humbjet. E si këto Kuteli nuk pati pak. Sa ishte gjallë asnjëherë nuk mori lëvdatat që meritonte, për shkak të regjimit nuk mundi ta ushtronte të shkruarin ashtu si ai donte e kështu humbi deri diku edhe gjenialiteti i tij krijues. Por me humbje kuptojmë edhe atë të prekshmen, veprën, e cila mbeti rrugëve të persekutimit.
Humbjet letrare
“Humbjet kuteliane në jetë dhe në art, janë të mëdha dhe të shumëfishta. Sidomos në këtë mori mund të përmendeshin mungesa e disa teksteve, që është bjerrje e përfillshme dhe e pazëvendësueshme. Humbjet janë të shumëfishta, të thella dhe të prekshme në kuptimin që s’ka mënyra të tjera për t’i kompensuar këto humbje, sepse nuk ka aspekt jetësor dhe letrar që të mos e ketë prekur dhe ndëshkuar autorin, ku megjithatë humbjet letrare janë nga më tronditëset”, thotë Gjoka, i cili ndërsa përpiqet t’u shmanget ndodhive personale të jetës së shkrimtarit, i vlerëson këto humbje si shumë të rëndësishme për të përvijuar portretin e plotë të shkrimtarit. Në lidhje me këto humbje ai i referohet rrëfimeve të së bijës së shkrimtarit, Atalanta Pasko, e cila është kujdesur në veçanti për veprën e të atit. Sipas saj “humbi tërë novelat kryesore, “Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea” dhe gjysma e novelës tjetër, “Zbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi”. Humbi edhe një roman që u kushtohet të burgosurve të kampit të Prishtinës, si dhe drama “Ura”, me motive të legjendës së murimit. S’dihet ç’u bënë edhe librat “Rrëfimet me të gjallë e me të vdekur” dhe shënimet ekonomike”.
“Humbja në këtë rast, pra në formatin letrar, është e madhe dhe dyfishe: Humbja në lëmin ekonomik, të fushës së financave dhe asaj bankare, e cila do të sqaronte dhe zbulonte përmasën e intelektualit dhe të ekspertit në fushën financiare, ndonëse për hir të së vërtetës, këtë aspekt mund të kundrohet ndihmesa e dhënë nga ana e Kutelit, se përfundimet e atëhershme, tashmë edhe kanë ndërruar kahje, por duke mbetur sidomos idetë mbi ekonominë kombëtare, pra më përtej ndarjeve kufitare shtetërore.
Humbjet në lëmin e letrave, pra të teksteve letrare të autorit, të cilat janë të thella dhe të pariparueshme, i bëjnë edhe më të prekshme humbjet e autorit, në të gjitha kuptimet. Janë më të thella këto ndarje, sepse në mungesë të tekstit të dramës, portreti i shkrimtarit do të mbetet përjetësisht i paplotë, sepse do të mungojë një element nga më qenësorët i shkrimit autorial. Po ashtu, në mungesë të romanit të dytë të Kutelit, kushtuar të burgosurve të Prishtinës, ngelet në zgrip teza e shkrimit të romanit prej autorit...”, shkruan Gjoka. Sipas tij “humbjet e të gjitha llojeve, por veçanërisht ato të teksteve letrare, erdhën prej rrethanave jashtë letrare, nga burgimi, internimi dhe përndjekja e pandërprerë”.
Të heqësh dorë nga të shkruarit për mbijetesë
Me gjithë përpjekjet për të mos u futur në labirintin e dhimbjeve të Mitrush Kutelit, studiuesi Behar Gjoka nuk mund të mos e përmend të kaluarën e vuajtjeve të shkrimtarit, pasi shkrimtaria e tij u kufizua pikërisht nga jeta e tij. “Në vitin 1947 që përkon me shkrimin e novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, për arsye politike dhe letrare, Mitrush Kuteli përfundon në burg. Nëpër 20 vite tronditëse, vazhdon kalvari i tmerrit për jetën dhe bukën e gojës, duke përkthyer për nevojat e kohës, dhe në shumicën e vet jashtë dëshirës. Këtu, pikërisht në këtë çast frikësjellës, në mënyrë të paimagjinueshme dhe mjerave ndërpritet dhe ëndrra e shkrimtarit, dëshira që e mbajti me frymë për shumë mote. Tashmë, me lejen e redaktorëve të realizmit socialist dhe të ushtarëve të bindur të partisë-shtet, të cilët e krodhën letraren nën kthetrat e letërsisë ideologjike dhe sociologjike, ai do të merret me përkthimin e normuar në mënyrë të zyrtarshme, sa për të mbajtur frymën (shpirtin) gjallë. Përkthimet mjeshtërore të Gogolit, Emineskut, Ostrovskit, Turgenievit, etj., jo vetëm që i dhanë bukën e gojës për vete dhe fëmijët, por pikërisht ato e mbajtën të ndezur edhe kandilin letrar. Në këtë periudhë torturash, burgimesh, ndalimesh, internimesh dhe lentimi, Kuteli megjithatë arriti të botonte librat: “Xinxifillua”, me përralla mjaft të realizuara, si dhe “Tregime të moçme shqiptare”, ritregime të epikës legjendare dhe historike të folklorit shqiptar. Janë këto dy libra që e mbajtën në kujtesën formale, se Kuteli po shkruante dhe botonte, ndonëse jo në ngarkesën dhe shijen e tij letrare, si mjeshtër i realizimit të tregimit dhe novelës, rrëfimit dhe rrëfenjës, e padyshim dhe i romanit” shkruan Gjoka.
Vepra e humbur
- Novela “Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea”
- Novela “Zbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi”
- Romani kushtuar të burgosurve të kampit të Prishtinës
- Drama “Ura”, me motive të legjendës së murimit
- “Rrëfimet me të gjallë e me të vdekur”
- “Shënime ekonomike”