Humori vlonjat vjen me shfaqjen Big Brother Vlora"
Humori vlonjat ka zbritur në skenën e teatrit Petro Marko me premierën "Big Brother Vlora", realizuar mbi bazën e libretit të tre autorëve të njohur shqiptarë, Pëllumb Kulla, Gafur Shameti e Aleksandër Duka, vënë në skenë nga trupa e varietesë e qytetit të Vlorës. Me një shpejtësi që vetëm parodistët e Vlorës mund ta bëjnë, është vënë në skenë premiera Big Brother Vlora, e cila ka marrë spunto nga personazhet shumë të komentuara të spektaklit Big Brother.
Këtë herë përmes humorit, artistët dhe këngëtarët vlonjatë, kanë provuar një version tjetër të këtij spektakli, servirur mjaft këndshëm për publikun. Shfaqja e parë ka mbushur teatrin Petro Marko dhe estrada profesioniste është pritur me interes nga publiku , ndërsa duartrokitjet më pas kanë folur për një shfaqje të pëlqyeshme. Figurat qendrore kanë qene tre parodistët e Vlorës Muhamet Lika, Afrim Agalliu dhe Agron Amo, të cilët kanë sjellë jo vetëm elementë tipike të parodisë, por edhe ato të situatave komike tek skeçet. Libreti i Aleksandër Dukës, Gafur Shametit e Pëllumb Kullës, ka përcjellë një atmosferë të ngrohtë në sallë, ku komunikimi mes skenës dhe spektatorit ka qenë i arrirë. Në rolin e ideatorit dhe regjisorit aktori Afrim Agalliu tha se shfaqja kishte marrë shkas nga spektakli, duke kthyer me humor disa personazhe, por edhe i kthyer ato në retrospektivë. Ai vlerësoi lojën e aktorëve, por edhe ndërthurjen me elementin muzikor, të cilat kanë qenë pika të forta të kësaj shfaqjeje. Ndërsa, Artur Dhamo përgjegjës muzike pohon se në këtë premierë është kapërcyer rutina 'një këngë, një parodi', duke u bërë edhe këngëtarët protagonistë të këtij Big Brothër të stacionuar në qytetin e Vlorës. Skenografia e realizuar nga Agron Jakupi, gjithashtu është mbështetur në elementë të spektaklit, si dhoma e rrëfimit, në të cilën shumë herë janë drejtuar aktorët dhe këngëtarët për interpretimet e tyre. Tematika e shfaqjes është bazuar te ekzistenca e korrupsionit, ndikimet e politikës në fusha të jetës, si edhe elementë nga jeta sociale. Shfaqja është financuar nga bashkia Vlorë, ndërsa do të ngjitet në skenë këto ditë qershori, kur në Vlorë kanë nisur të vijnë edhe pushuesit e parë.