Hungaria: Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat – debatet politike nuk mund të cenojnë integrimin

Kryeministri i Hungarisë, vendi i të cilit kishte kryesimin e radhës të BE-së në 6 muajt e parë të këtij viti, Viktor Orban, u ka dërguar një memorandum liderëve të vendeve tjera të Bashkimit Evropian, me të cilin kërkon një riangazhim më të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbështet nisjen e dialogut për liberalizim të vizave me Kosovën. Në këtë letër, veçanti për Shqipërinë, Orban ka theksuar se edhe “Shqipërisë, deri në fund të vitit, do të duhej t’i jepej statusi i kandidatit, sepse, sipas tij, debatet e tashme politike, nuk e kanë rrezikuar funksionimin e demokracisë në Shqipëri”. Ndërkohë shkruan Orban “Nuk mund të mbeten vrima të zeza në hartën e Evropës dhe për këtë kemi nevojë të forcojmë perspektivën evropiane të Kosovës. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo është posaçërisht e vështirë për arsyen se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën. Por, ne mund të bëjmë progres në fushën, siç është adoptimi i një udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”. Sipas kryeministrit të vendit që deri më tash kishte kryesimin e radhës të BE-së, pozita gjeografike e vendeve të Ballkanit Perëndimor bën që integrimi i këtyre shteteve në BE të mos jetë vetëm një zgjerim i thjeshtë i Bashkimit Evropian, por më shumë kompletim i një pune të papërfunduar të ribashkimit të Evropës.
...