E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hungaria mbeshtet projektet e Shqiperise dhe integrimin ne BE

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadorin e ri të Republikës së Hungarisë në Shqipëri, z. János Huszár, bëri të ditur zyra i shtypit e kryeministrisë.

Pasi i uroi ambasadorit Huszár mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re Kryeministri Berisha i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet politike ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë, duke nënvizuar vizitën e kryeministrit Orban si një pikë kulmore të këtyre marrëdhënieve.
Berisha theksoi gjithashtu, se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të forcohen edhe me tej, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e investimeve, në kulturë, turizëm, etj.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha e siguroi ambasadorin Huszár se investitorët hungarezë do të gjejnë në Shqipëri një klimë miqësore biznesi dhe do të gëzojnë mbështetje të plotë të qeverisë dhe agjencive shtetërore.

Nga ana e tij, ambasadori i Hungarisë, z. János Huszár, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe e siguroi atë për angazhimin maksimal për të punuar në ngritjen e marrëdhënieve bilaterale në nivele më të larta, në interes reciprok.

Ai ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha se zhvillimi me përparësi i marrëdhënieve ekonomike dhe kulturore mes të dy vendeve e popujve, ashtu si dhe në fusha të tjera me interes reciprok, janë instrumentet më të mirë në përmbushjen e këtij objektivi.

Ambasadori Huszár konstatoi me kënaqësi progresin e madh të Shqipërisë dhe theksoi nevojën që ky zhvillim dhe mundësitë që ofron Shqipëria, ashtu si dhe Hungaria, të bëhen më shumë të njohura për investitorët hungarezë dhe publikun e të dy vendeve.
Ambasadori János Huszár kërkoi që raportet e shkëlqyera historike të shoqërohen me marrëdhënie po aq të mira mes të dy vendeve, të cilët ndajnë të njëjtat vlera demokratike.

Kryeministri Berisha theksoi se dy projektet më të mëdha të qeverisë shqiptare janë: integrimi në Bashkimin Evropian dhe Shqipëria vend i zhvilluar. Kryeministri i cilësoi reformat për integrimin evropian si motor i pazëvendësueshëm për modernizimin dhe zhvillimin e vendit e shoqërisë.

Nga ana e tij, ambasadori Huszár shprehu mbështetjen e palëkundur të Hungarisë për integrimin evropian të Shqipërisë. Ai theksoi se Hungaria, si një vend fqinj, është e interesuar që rajoni i Ballkanit Perëndimor të përparojë sa më shpejt në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›