E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami Riorganizimi i ushtrise brenda te gjitha standardeve te NATO-s

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Z. Arben IMAMI, ka marrë pjesë sot në një seancë dëgjimore të kërkuar nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ku ka informuar anëtarët e këtij komisioni dhe nëpërmjet tyre edhe mbarë opinionin publik, mbi sistemin e Arsimimit Ushtarak, përpjekjet e Ministrisë së Mbrojtjes për Integrimin e plotë të Shqipërisë në Aleancën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, si dhe Reformat në Shërbimin Informativ Ushtarak, (SHIU).

Qëllimi i qeverisë shqiptare, që deri në vitin 2013, të ketë një ushtri e cila ka hedhur barrën e së shkuarës tutje, një ushtri ku nuk do të ketë më municione dhe materiale të tepërta dhe ku Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm do të ketë kryer ato detyrime ligjore që i takojnë për privatizimin dhe nxjerrjen e pronave të tepërta, ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat e këtij institucioni të rëndësishëm për të implementuar një strukturë të re, e cila do ti shërbej këtij qëllimi.

Në fjalën e tij, mbajtur përballë anëtarëve të këtij komisioni, ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami u shpreh: “Integrimi i Forcave të Armatosura dhe i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior është në vetvete një proces tejet angazhues, por mbi të gjitha ai është një proces i hapur, e që kërkon aryetimin rreth sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare si një sistem i integruar. Në këtë proces pesha më e madhe i takon detyrimisht Ministrisë së Mbrojtjes, por vend jo pak të rëndësishëm zënë të gjitha institucionet e tjera qendrore të vendit. Shqipëria, si edhe të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s, do të duhet të përbush detyrimet kombëtare për paketën e 49 objektivave të forcës (Force Goals), të cilat përfshijnë një gamë të gjerë performimi duke nisur nga stërvitja, pajimi, modernizimi i FASH, e deri tek dislokimi dhe angazhimi në përmbushje të detyrimeve që rrjedhim prej Artikullit 5. Prandaj, në saj të kompleksitetit të reformanve, vendi ynë pritet ta përfundojë fazën e Integrimit të plotë në vitin 2019”, nënvizoi ministri Imami.

Sipas ministrit Imami: “Aleanca ka dy komanda të rëndësishme që janë: Komanda Operacionale, e cila merret me misionet, ku performanca jonë është e shkëlqyer dhe kjo është përmendur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Rasmussen, si dhe Komanda e Doktrinave, e cila merret me strukturimin e ushtrive. Historia jonë në këtë Komandë ka filluar mbas vitit 2009. Çdo 6 muaj bëhen konferenca që janë takime të përbashkëta midis ekipit të Komandës së Doktrinës së Aleancës (ACT-së) dhe ushtarakëve dhe civilëve që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm. Të tërë së bashku shqyrtojnë çështjet, propozojnë zgjidhjet më të mira të mundshme dhe përgatisin një dokument, siç është ky që ju keni përpara, lidhur me problematikat dhe me planet e veprimit për të ardhmen. E rëndësishme është të them se Shtabi i Përgjithshëm ka bërë një analizë të plotë të këtyre rekomandimeve dhe ka hartuar një plan veprimi të cilin gjithashtu ia ka dërguar edhe komandës së ACT-së. Në këtë kuptim dua të them se çështjet që shtrohen këtu, jo thjesht i dimë, jo thjesht na i thonë, por janë çështje të cilat i ngremë prej kaq kohësh për të ristrukturuar një forcë e cila, megjithëse ka bërë një reformë të jashtëzakonshme nga viti 1991 e deri më sot, është një forcë e cila duhet të shkoj drejt një ristrukturimi të vazhdueshëm dhe shumë vjeçar”, deklaroi ministri i Mbrojtjes shqiptare.

Në këtë kuadër, ministri i Mbrojtjes, z. Imami, vuri theksin mbi zbatimin e marrëveshjes standardizuese të NATO-s, duke theksuar se procese të tilla si: analizimi, ratifikimi dhe vënia në zbatim e Marrëveshjeve Standardizuese të NATO-s, apo STANAG-ve kanë qenë procese të detyrueshëm për FASH. Deri më tani, ndër të tjera, Ministria e Mbrojtjes ka ratifikuar rreth 41 STANAG-ë, ratifikime të cilat ministri Imami i vlerësoi si mjaft të rëndësishme.

Ineresi më i madh në këtë seancë dëgjimore, iu kushtua edhe reformave që po ndërmerr Ministria e Mbrojtjes, në drejtim të reformimit të Shërbimit Informativ Ushtarak. Ministri Imami i shpjegoi anëtarëve të këtij komisioni qëllimin dhe synimin që ka Ministria e Mbrojtjes në drejtimin e ristrukturimi të këtij dikasteri, duke e cilësuar nevojën për ndryshim si një detyrim ndaj Aleancës.

“Në vazhdën e ristrukturimit të përgjithshëm të FASH, për të përbushur detyrimet ndaj Aleancës, edhe SHIU ka kaluar nëpër një proces të vazhdueshëm transformimi, i cili ka konsistuar në ristrukturimin organizativ të tij, modernizimin e kapaciteteve njerëzore dhe materiale dhe rritjen e aftësive operacionale. Pjesë e kësaj reforme ishte edhe Drejtoria J-2 në Shtabin e Përgjithshëm, dhe Qendra e Radiozbulimit.
Reformimi i Shërbimit Informativ Ushtarak është kryer me asitencën edhe të Shërbimeve partnere të SHBA, si DIA, CIA, Instituti “DETTICA”, Divizioni i Inteligjencës së NATO-s , Zyra e Sigurisë së NATO-s, Komanda e NATO-s për Kundërzbulimin. Qëllimi i ndërmarrjes së kësaj reforme ka qenë: transformimi i SHIU-t si strukturë inteligjence në nivelet e standarteve të NATO-s; Mbështetje të plotë të Forcave të Armatosura me inteligjencë të nivelit taktik, operacional dhe strategjik, brenda dhe në misione jashtë vendit; Integrimin e strukturave të inteligjencës ushtarake me qëllim përmirësimin e inteligjencës në fushën e mbrojtjes;
Çentralizimi i aseteve grumbulluese-prodhimin e produkteve të integruara të inteligjencës, shumëburimëshe (HUMINT; SIGINT; OSINT);
Efektivitet në menaxhimin e burimeve dhe kapaciteteve; Kontribut efektiv në strukturat e inteligjencës së NATO-s, etj”, përfundoi ministri Imami.

Zoti Leonard Demi, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, pasi e cilësoi bashkëpunimin e ngushtë midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm një element të pazëvendësueshëm për të zgjidhur problemet në Forcat e Armatosura Shqiptare, shprehu gatishmërinë që ka ky Komision në mbështetjen e të gjitha nevojave që ka Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, për përmbushjen e kërkesave, sugjerimeve, detyrimeve, rekomandimeve dhe reformave që kërkohen nga Aleanca.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›