E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungaria me ligj të ri për mediet

Nga Express më 15 dhjetor 2010 në ora 13:39

Qeveria hungareze planifikon një ligj të ri mediatik, i cili kritikohet si një ligj mjaft restriktiv. Radiotelevizioni publik do të ketë struktura të reja, ku dora drejtuese nga lart do të ndihet më shumë.
Në fillim të dhjetorit lexuesit e gazetave dhe revistave hungareze u habitën jo pak: Gazeta ditore "Nepszava" (Zëri i Popullit) me orientim të majtë dhe sindikalist si edhe dy gazeta të njohura javore të politikës kulturore "Magyar Narancs" (Portokallia hungareze) dhe "Eles es iroladom" (Jeta dhe letërsia) u botuan me faqen e parë bosh. Kjo ishte protesta më efektive kundër politikës mediatike të qeverisë populliste nacional-konservatore të kryeministrit Viktor Orban.
Dihet që në 1 janar 2011 qeveria hungareze do të fusë në fuqi ligjin e ri për medien. Miratimi i tij pritet të bëhet pas dy javësh. Por prej kohësh redaksitë protestuese e shohin të rrezikuar lirinë e shtypit në Hungari dhe flasin për mos-ekzistencën e saj nga 1 janari 2011.
Një prognozë drastike. Shkrimtari hungarez që jeton në Berlin, György Dalos është i shqetësuar për politikën mediatike të qeverisë Orban. "Ligji centralizon të gjithë strukturën mediatike në një mënyrë të tillë, siç nuk ka ekzistuar më që nga 1989-a. Qëllimi praktik është çimentimi i pushtetit. Të duket vërtet se po bëhen përgatitje për ta mbajtur pushtetin për 30 vjet", theksoi Dalos.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›