Mbi 100 të lënduar pas trazirave në Romë
Kur të martën pasdite u njoftua se kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi e fitoi betejën si në senat ashtu edhe në dhomën e deputetëve, eskaluan disa tubime të mëdha, deri në ato çaste të qeta. Për disa orë rresht disa qindra autonomë humbën kontrollin në qendër të kryeqytetit italian, dhe u vunë flakën makinave të parkuara në rrugët e njohura tregtare si Via del Corso në afërsi të parlamentit dhe Via Cola di Rienzo. Ata dëmtuan dyqanet, ngritën barrikada dhe zhvilluan përleshje në rrugë me policinë.
Re të dendura tymi mbuluan qendrën e qytetit, shpërthime eksplozivi dhe granata me gaz lotsjellës! Policia veproi me forcë kundër huliganëve, disa prej të cilëve u rrahën edhe pas arrestimit të tyre. Të gjitha këto pamje u treguan drejtpërdrejt në televizion.
Shumica e dyqaneve u mbyllën në mënyrë spontane pikërisht në vlugun e punës në prag të festës së kërshëndellave. Turistët ikën të trembur. Bilanci paraprak i ngjarjeve të së martës: rreth 40 arrestime, të paktën 120 të plagosur, në mesin e tyre kameramanë dhe afro 60 policë.