E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hungaria ofron mbështetje për integrimin

Takimi i parë ishte ai me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, ku diskutuan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik në nivele edhe më të larta, duke përfshirë  bashkëpunimin në fushën e energjetikës, infrastrukturës, bujqësisë, dixhitalizimit dhe rritjen e investimeve hungareze në Shqipëri.

Viti i ardhshëm, shënon 90 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona dhe ky përvjetor është shumë i veçantë pasi përkon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kuadër Kryeministri Orban dhe Kryetarja e Kuvendit, ndanë ide për organizimin e disa evenimenteve të rëndësishme në Hungari dhe në Shqipëri si një moment për të  promovuar Shqipërinë dhe imazhin e saj.Parlamenti i Shqipërisë dhe Parlamenti i Hungarisë do të organizojnë, në këtë përvjetor një sërë aktivitetesh të përbashkëta.

Gjatë takimit, duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, Kryeministri Orban tha se duhet  të ngremë sa më parë një Komision të përbashkët ekonomik, që do të fokusohet në investimet në infrastrukturë, bujqësi, në promovimin e turizmit, etj. Kryeministri i hungarez ofroi mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE. “Unë besoj se edhe në këto momente krize në eurozonë,  duhet të shohim si zgjidhjen më të mirë hapjen dhe jo mbylljen e BE-së. Unë do vazhdoj të mbështes Shqipërinë dhe kjo është bindja ime e brendshme”, theksoi Orban.

Gjithashtu, Topalli zhvilloi një takim me presidentin e Hungarisë, Pál Schmitt. Gjatë bisedës, kryetarja e Kuvendit ftoi Presidentin Schmitt të vijë në Shqipëri në 28 nëntor të vitit të ardhshëm, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Duke mirëpritur këtë ftesë, Presidenti Schmitt tha se do të shohë me prioritet mundësinë e ardhjes së tij në këtë datë të rëndësishme, në Shqipëri.

“Është hera e tretë që takohemi dhe nga ana ime si President i Republikës, kam marrëdhëniet më të mira të mundshme. Po planifikoj vizitën time në Shqipëri gjate festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Është shumë e rëndësishme që dy popujt t’i kushtojnë vëmendje njëri-tjetrit, qoftë në fushën e kulturës, biznesit, politikës, bujqësisë etj. Nga ana ime e mbështes 10 për qind këtë miqësi dhe bashkëpunim”, theksoi ai. /Start/

                                                                                             2011-12-06 17:01
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›